Prishtinë, 21 tetor 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka përgëzuar Policinë e Kosovës për efikasitetin në kapjen e personit të përfshirë në incidentin që ndodhi dje në fshatin Dobrushë, të Burimit (Istogut) ku humbi jetën një qytetar i komunitetit serb, dhe dy të tjerë u plagosën. “Kapja e kryesit të këtij akti kriminal është edhe një sukses i organeve të rendit të Republikës së Kosovës, që dëshmon më së miri për përkushtimin e fuqishëm institucional të Kosovës për luftimin e krimit dhe krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për punë dhe për jetë”, u shpreh Thaçi. Më tej ai shtoi se prioritet i Qeverisë së Kosovës do të vazhdojë të jetë fuqizimi i rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe në këtë kuadër akte të tilla nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë dhe në asnjë çast. Në përfundim të fjalës së tij Kryeministri Thaçi ka ftuar organet përgjegjëse që të ndërmarrin të gjithë hapat e duhur që kryesi i këtij akti të rëndë sa më shpejtë të nxirret para organeve të drejtësisë dhe të marrë dënimin e merituar. a.y/NOA