English

Libi, dita pa Gedafin, OKB: Të hetohet vdekja

Tripoli, 21 tetor 2011, NOA/Albana Qehajaj - Komisioneri i Lartë për të drejtat e njeriut në OKB deklaroi sot se do të nisin hetimet mbi rrethanat “ende jo të qarta” të vdekjes së Gedafit. “Deri tani ka 4-5 versione të ndryshme. Na duhet një hetim”, tha zëdhënësi i Komisionerit të Lartë, Rupert Colville. Nga ana tjetër, Këshilli Kombëtar i Tranzicionit pritet të deklarojë çlirimin e të gjithë territorit të Libisë. Populli libian është në pritje të këtij deklarimi zyrtar. “Është një moment historik, fundi i një tiranie dhe diktature. Gedafi shkoi kundër vullnetit të tij”, deklaroi zëdhënësi zyrtar i KKT, në Bengasi, Abdel Hafez Ghoga.

Mjeku: Gedaf vdiq pas goditjes në kokë

“Një fund poshtërues për njeriun, i cili sundoi Libinë për 42 vjet. Pasi u nxorr nga kanali ku ishte fshehur, i përgjërohej kryengritësve për t’i falur jetën “Mos qëlloni, mos qëlloni”. I plagosur dhe tërë gjak, Gadafi i zhgënjyer u drejtohej rebelëve duke i thënë: Çfarë të kam bërë?” Më pas qëllohet “si qen në rrugë”.” Këto janë një pjesë e komenteve që lexohen në faqet e para të mediave botërore sot, një ditë pas vrasjes së Gedafit. Por enigma mbetet e njëjtë: Si vidq ish diktatori? Mjeku ligjor, i cili ekzaminoi trupin e pajetë të ish kolonelit ka deklaruar se Gedafi ka vdekur si pasojë e goditjes në kokë me armë zjarri. Lajmin e bëjnë të ditur zyrtarë të KKT, cituar nga televizioni Al Arabya. Doktor Ibrahim Tika ka këmbëngulur se ish diktatori libian ishte arrestuar i gjallë e më pas është goditur për vdekje. Sipas tij, fillimisht është goditur me plumb në gjoks dhe më pas një plumb i dytë, i cili ka hyrë e ka dalë në kokë i ka shkaktuar vdekjen. Mjeku ka deklaruar se djali, Mussati është vrarë pas të atit.

Pamjet që shokuan botën

Video shokuese, që qarkullon në internet, tregon sesi tirani 69 vjecari ishte gjallë, kur kryengritësit duke tundur armët në ajër e hodhën atë në një xhip. Në fund, ish diktatori, simbolikisht, u mund nga një djalosh 20 vjecar, i cili, pas kapjes së Gadafit, mbante si trofe pistoletën e artë të kolonelit. Në një tjetër video shfaqet trupi i gjakosur i Gadafit, teksa zvarritet nëpër rrugët e qytetit të tij të lindjes, Sirte, dhe më pas nëpër rrugët e Misratas. a.q/NOA/CNN/Reuter

KOMENTE