English

Malaj: Partitë në krizë, funksionojnë si parti të kryetarëve

Tiranë, 21 tetor 2011, NOA- Deputeti socialist Arben Malaj u ndal në zonën e Kombinatit në kryeqytet në një bashkëbisedim me të rinjtë, i shoqëruar nga deputeti tjetër i selisë rozë, Andis Harasani si dhe anëtari socialist i Këshillit Bashkiak Enver Reçi. Në kuadër të bashkëbisedimit kombëtar për “Modernizimin e partive politike”, Malaj ndau më të rinjtë shqetësimin e tij rreth dështimit të vendit në procesin e integrimit të tij, rreth kostove të rënda që paguajnë shqiptarët nga keq qeverisja e vendit dhe domosdoshmërinë e një ndërgjegjësimi sa më të gjerë publik për reformat e mëdha politike dhe ekonomike për të cilat ka nevojë vendi. Sipas tij, partitë politike duhet të jenë mundësia më e mirë për ti shërbyer vendit. Gjithashtu ndër pikat kryesore Malaj theksoi se partitë politike janë sot në krizën e thellë të demokracisë së tyre të brendshme, pasi ato funksionojnë si parti të kryetarëve dhe jo si forca politike me demokraci e integritet. “Vetëm pak ditë me parë dy prej studiuesve më të mirë të historisë dhe tranzicionit shqiptar, profesorët amerikanë Pano dhe Fisher do të qartësonin publikisht se populli shqiptar po vuan nga një bllokim thuajse i plotë që ka shkaktuar politika, dhe se shumica e problemeve vjen prej mungesës së kulturës politike”, u shpreh Malaj. Ai shtoi se aktualisht partitë politike po i thonë jo një qeverie që krijon mundësi për më shumë punë dhe më shumë mirëqenie, po i thonë jo një qeverie e mundësive të barabarta për të gjithë por qeveri e të gjitha përfitimeve vetëm për pak individë. Malaj tha se Partia Socialiste nuk ka fituar akoma pas 6 vjetësh asnjë garë politike përballë Berishës, duke i dëmtuar rëndë kështu të gjithë shqiptarët me zgjatjen e jetës së kësaj qeverie të dështuar dhe të korruptuar. Në këtë linjë deputeti i selisë rozë Arben Malaj tha se, “Partisë Socialiste nuk i duhen policë për të mbrojtur votat por i duhen më shumë vota. Po të njihen dhe respektohen më mirë të gjitha kontributet e çdo socialisti dhe mbështetësi të PS-së, do te inspirohen me mirë të rinjtë dhe gratë, do të dëgjohen më shumë grupet e interesit, do të bëhet një opozitë e qartë politike kundër keqqeverisjes së vendit, do të kemi votat e mjaftushme për të fituar dhe për të qeverisur sa më mirë vendin tonë”. Në mbyllje të takimit Malaj theksoi, sot më shumë se kurrë socialistët duhet të organizohen për të rritur optimizmin e fitores dhe jo për të menaxhuar frikën e humbjes, por të organizohen me shpresën për të prekur fitoren. Ndërkaq mësohet se turi bashkëbisedues pritet të konkludohet me një takim përmbyllës që do të mbahet para Kongresit të 5 Nëntorit, në një nga ambientet e kryeqytetit ku do të bëhet edhe një përmbledhje e mendimeve të mbledhura gjatë bashkëbisedimeve me të rinj dhe përfaqësues të shoqërisë civile nëpër rrethe. a.y/NOA

Në foto: Deputeti i PS Arben Malaj

KOMENTE
  • Enco Grimaldi21:56 - 21 Tetor 2011
    Zoti Arben, sa ishit ju ne qeveri nuk u degjova te benit as nje premtim,pa le me te benit ndonje gje konrete.Kur Berisha thoshte se do ti bente pensionet ne fshat 50 dollar dhe ne qytet 100 dollar,ju personalisht thoshit hapur ne Tv,kjo eshte e pamundur,Berisha genjen.Ja qe doli ajo qe thoshte Berisha.Po keshtu edhe per dritat.Ai thoshte per 24 ore drita,kryetari i qeverise suaj,Nano,thoshte SHqiperia per drita te mendoj ne 2014 ose ne 2015.Ja qe Berisha e beri.Po keshtu per Rrugen e Kombit.Per hyrjen ne NATO,per Heqjen e Vizave etje etj.Partia juaj flet gjera ne pergjithesi te cilat jane sharje ne drejtim te Berishes apo te PD,dhe kurre nuk keni premtuar asgje,as tani vetem parrulla socialiste,pa asgje konkrete.Perse e doni pushtetin apo te hame parrullat e predikimet tuaja apo te partise suaj.Si nuk degjova nje shifer premtuese nga ana juaj?!