Mitrovicë, 21 tetor, NOA - Policia e Kosovës bën të ditur se nata në veriun e Kosovës ka kaluar përgjithësisht e qetë, pas operacionit të djeshëm të KFOR-it për largimin e barrikadave rrugore. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se trupat e KFOR-it kanë larguar përfundimisht barrikadën mbi urën e fshatit Zupç. “.Edhe pse të njëjtën e kishte vënë nën kontroll gjatë ditës, për shkaqe teknike dhe fortësisë së materialit që ishte vendosur aty, është dashur të porositen pajisje të veçanta për ta larguar si barrikadë fizike”, bëri të ditur Hoti për Radion Evropa e Lirë. Ai po ashtu tha se serbët kanë vazhduar të qëndrojnë në disa barrikada gjatë gjithë natës, ndonëse në një numër më të vogël. Hoti njëherësh shprehu gatishmërinë e Policisë së Kosovës për t’u bërë pjesë e çdo kërkese apo operacioni, që mund t’i kërkohet. NOA/RFE