English

Provokime metaforike

Tiranë, 21 tetor, NOA - Nga Bujar Plloshtani/ “Arti është rruga kryesore përmes së cilës ndodh e vërteta”, thoshte Heidegger-i. Sikurse arti, edhe kritika kërkojnë mjeshtëri elastike duke e lidhur fjalën dhe mendimin me anë të gjykimit kritik e analitik. Për ta zbërthyer ndërtimin e brendshëm të një vepre letrare a artistike, doemos kërkohet talent dhe njohje të sigurta, sepse, edhe kritika e dallueshme shquhet për krijim. Kritika nuk është vetëm vlerësim, por mund të jetë edhe një variacion kritik ndaj lëshimeve të mundshme, prandaj, sot kritika është tepër e rëndësishme të shkruhet sipas bindjeve të thella, dhe përmes saj njihen vlerat botërisht të njohura, ose të cekëta. E ndaj mendimin relativ, se kritika sot e përherë mbetet mjaft e ndërlikuar për ta shkruar. Jo të gjitha krijimet e botuara mund edhe të shkruhen sipas bindjeve kritike, sepse mund të ndodhë që një botim të mos plotësojë kushtet e duhura letrare e shkencore. Pra, paraqet praktikën e redaktimit apo rishikimit të një teksti në bazë të metodave komparative të mendimit kritik. Veprën “Provokime metaforike” të autorit Remzi Salihu mund ta konsideroj me fjalë shumëkuptimore; si një aparat kritik që është shpesh një produkt i kritikës tekstuale. Në kontekst të këtij libri, ai dallon se ka prirje psikologjike për t’i kultivuar mendimet e brendshme të shkrimtarëve në një harmoni të vazhdueshme kritike e analitike. Para së gjithash ka motivim dhe guxim, po e them sërish psikik për të depërtuar në kapjen e përfytyrimeve ideo-estetike të shkrimtarëve sipas bindjes së tij narrative. Ai përpiqet të bëjë interpretimin, vlerësimin dhe krahasimin e veprave letrare, varësisht nga trajtimet e tyre emocionale dhe psiko-analitike. Me rëndësi është të thuhet, se autori i kushton kujdes të veçantë bazës së mendimit psikik të ndërtimit të një vepre letrare, dhe mënyrës sesi një shkrimtar i qaset një dukurie apo fenomeni social e politik në ndërlidhje me realitetin shoqëror. Në variacionet e tij provokuese metaforike ndodhet edhe mendimi kritik i tij mbi shkrimtarë të njohur si Volfgang Behlerit, Nikita Staneskut, Peter Paulsenit, Abdellatif Laabit, Xhuzepe Napolitanos etj. Të shkruash apo të kritikosh me plot bindje veprën e shkrimtarëve të cekur më lartë, në rend të parë është guxim psikik dhe motiv i vetë autorit për t’u njohur me dukuritë dhe fenomenet që paraqesin vetë shkrimtarët e sipërpërmendur. Në lidhje me veprën e Volfgang Behlerit, ai dallon si pikënisje relative të udhëtimit të tij poetik “qartësinë e vargut e cila është e lidhur ngushtë me tokën e lindjes”. Më tej, ai konstaton se në poezinë e Behlerit “vibron ngrohtësia, ftohtësia, vdekja, bukuritë, frika, dhembja; dhe si të tilla këto futen edhe në vokabularin e vetë poetit. Veprimtarinë letrare të Nikita Staneskut, ai vlerësimet e para i hedh përmes tri veçorive krijuese, ndër të cilat janë: kali, guri dhe fjala. Këto janë simbolet kyçe që e identifikon lirikën e tij krahas lirikëve tjerë. Veprimtarinë letrare të Xhuzepe Napolitanos, ai e dallon poetin si poet i natyrës emocionale që e ndërton ekzistencën dhe njeriun, nëpërmjet fjalës së bukur, kohës dhe dashurisë. Gjithashtu edhe te veprimtaria letrare e Abdellatif Laabit, ai dallon bindjen e poetit si “mendimtar i shprehjes së thuktë lakonike, ku mendimin parësor e vendos midis shpresës dhe dyshimit, ndërmjet jetës dhe vdekjes”. Kritikat dhe reçensionet që e përbëjnë veprën “Provokime metaforike” të Remzi Salihut, është një vepër siç e thashë dhe në fillim të hyrjes; si një aparat kritik që është shpesh një produkt i kritikës tekstuale; duke u kushtuar kujdes dhe vëmendje të përkorë mendimit të brendshëm të shkrimtarëve, të cilët në tërë krijimtarinë e tyre kujdes u kanë kushtuar paraqitjeve të dukurive dhe fenomeneve të ndryshme në rrugëtim me këtë ekzistencë sa sprovuese, po aq dhe transite. Për më tepër mendimi i tij analitik e krahasues qëndron mbi bazën emocionale dhe psikike, sepse vetë kritika e hollë qëndron sipas kësaj baze emocionale dhe psikike. Në disa paraqitje ai hedh vëmendje kritike që aludon drejt përshkrimit të laboratorit krijues brenda një vepre letrare. Sidomos, një vepër letrare ose plejad shkrimtarësh në një vepër asnjëherë nuk mund të komentohen drejtë, thelbësisht dhe në mënyrë koherente për nga të kuptuarit e brendshëm të idesë konkrete, sepse siç thoshte Platoni: “Se vetë poetët, më pak nga të gjithë, e dinë se në çfarë mënyrë ata krijojnë”. Asnjë vepër letrare nuk mund t’i thotë të gjitha gjërat në mënyrë ideale, të njëjtën gjë nuk e bën dot as kritika analitike. Çdo vepër letrare a shkencore krijohet prej një pike relative dhe vetëm si e tillë mund të trajtohet, interpretohet dhe analizohet. NOA Në foto: Bujar Plloshtani

KOMENTE