Mitrovicë, 21 tetor 2011, NOA - Forcat paqeruajtëse të NATO-s kanë bërë të ditur se aksioni i filluar në ditën e djeshme për zhbllokimin e rrugëve që çojnë drejt vendkalimit kufitar në Bërnjak në veriun e Kosovës është kryer me sukses dhe këto pjesë janë vënë nën kontroll. Në një njoftim të zyrtarëve të KFOR-it thuhet se “në aksion janë lënduar lehtë 8 ushtarë të kësaj force, pas kundërshtimit të serbëve lokalë për zhbllokimin e rrugëve”. Gjendja në veriun e Kosovës raportohet e qetë por me tensione të larta. Qytetarët serbë të veriut po vazhdojnë të qëndrojnë në barrikada. Burimet lokale serbe të informimit thanë se janë plagosur 22 serbë gjatë aksionit të KFOR-it, tre prej tyre në gjendje të rëndë”. Sipas këtyre burimeve, plagët janë shkaktuar nga gazi lotsjellës. Autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë e kanë përkrahur aksionin e trupave paqeruajtëse të NATO-s për zhbllokimin e rrugëve në veriun e vendit. Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka shprehur mbështetjen e plotë për KFOR-in dhe EULEX-it, për veprimet e tyre në veri. Gjatë një ligjërate në Universitetin Amerikan në Prishtinë, ajo tha se këto veprime janë në drejtim të vënies së rendit dhe sundimit të ligjit në atë pjesë të Kosovës. “Sa i përket veriut, unë do ta përsëris atë që e kam thënë edhe në të kaluarën se përgjigja ndaj gjithë kësaj është sundimi i mirëfilltë i ligjit në tërë territorin e Kosovës. Veprimet nga institucionet e Kosovës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët janë të pranishëm në Kosovës, si EULEX-i dhe KFOR-i janë në drejtim të ruajtjes së sundimit të ligjit që është një kusht kushtetues dhe ligjor i yni”, tha presidentja Jahjaga. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi thotë se, aksioni i KFOR-it për largimin e barrikadave është në kuadër të përkushtimeve të qeverisë së Kosovës për lirinë e lëvizjes dhe vendosjen e rendit dhe ligjit. “Është një aksion plotësisht i bashkërenduar me qeverinë e Republikës së Kosovës, ne kemi pajtueshmëri me KFOR-in dhe EULEX-in për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, zhbllokimin e rrugëve gjithashtu në tërë territorin e Kosovës dhe krijimin e kushteve të mira për qytetarët tanë serb atje por edhe për të tjerët që të lëvizin lirshëm dhe të jetojnë në kushte normale”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë Christofer Dell e ka përkrahur aksionin në veri, duke shpreh keqardhje që siç tha “nuk lejohet rendi dhe ligji” në atë pjesë të Kosovës. “Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it është lajm i keq pasi që KFOR-i nuk po bon asgjë tjetër pos që po vepron në përputhje me mandati ne tij që përcaktohet me rezolutën 1244, e cila garanton liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe për të gjitha organizatat ndërkombëtare. Më vjen keq që strukturat kriminale serbe në veri kanë zgjedhur rrugën e konfliktit në vend të rrugës së bashkëpunimit”, tha ambasadori Dell. a.q/NOA/VOA