Tiranë, 21 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- (Update) Lidhur me ngjarjen e ndodhur pak më parë në afërsi të rrugës “Siri Kodra” ku si rrjedhojë e grabitjes së argjendarisë, mësohet se personi që ka humbur jetën është pronari i këtij dyqani. Sipas gazetarit të agjencisë së lajmeve NOA në vendngjarje thuhet se viktima është 62 vjeçari Rrapo Sinanaj, trupi i të cilit aktualisht është drejtuar drejt morgut të kryeqytetit. Bëhet e ditur se personi që ka bërë ekzekutimin e 62 vjeçarit ka qenë i maskuar dhe se pak para ngjarjes ka pasur një konflikt mes tij dhe viktimës, kjo pasi autori i krimit ka tentuar të grabisë varëset, sasinë e parave si dhe pajisjet e tjera me vlerë ndërsa viktima ka tentuar ti heqë maskën. Pas kësaj autori e ka qëlluar me plumb në kokë dhe në trup pronarin e argjendarisë duke i provokuar edhe vdekjen e menjëhershme. Ndërkaq mësohet se në ambientet e dyqanit ka qenë një person që ka hyrë dhe që ka kryer vrasjen, ndërsa në ambientet e dyqanit ka pasur edhe kamera sigurie, nga të cilat uniformat blu presin të marrin të dhëna të tjera lidhur me ngjarjen, ndërsa dyshohet se në ambientet e jashtme ka qenë edhe një bashkëpunëtor. Aktualisht nga efektivët e policisë po merren në pyetje dëshmitarët e rastit, me synim identifikimin dhe gjetjen e autorëve si dhe rindërtimin e ngjarjes. a.y/NOA