Tiranë, 21 tetor 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut të tij turk Recep Taip Erdogan, për tragjedinë e dy ditëve më parë në Adriatik ku 8 marinarë turq rezultojnë të zhdukur në det, pas përplasjes së anijes “Reina 1” me tragetin “Ankara”.
Mesazhi i plotë i Kryeministrit Berisha:
Me keqardhje të thellë kam mësuar për aksidentin tragjik të përplasjes së anijes së pasagjerëve “Ankara” me anijen “Reina 1”, ndodhur në ujërat ndërkombëtarë 20 milje larg portit të Durrësit, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën tre marinarë turq dhe pesë të tjerë konsiderohen të humbur. Më lejoni t’ju përcjell juve dhe, përmes jush, familjeve të viktimave të kësaj fatkeqësie të rëndë, qeverisë dhe popullit mik turk ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare si edhe në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Dëshiroj me këtë rast t’ju bëj me dije se qeveria shqiptare ka reaguar menjëherë pas ngjarjes së rëndë duke nisur një operacion të gjerë kërkimi në të cilin janë angazhuar disa anije të rojes bregdetare si edhe një helikopter. Dy anëtarë të ekuipazhit janë shpëtuar, dhe ndodhen tashmë jashtë rrezikut në Spitalin Rajonal të qytetit të Durrësit ku po marrin kujdesin e plotë shëndetësor. Ndërkohë, po vijojnë përpjekjet intensive për gjetjen e pesë të humburve, të ndihmuara edhe nga anija turke "Barbados", për të cilën gjej rastin t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë. Duke shpresuar që këto përpjekje të japin rezultatin e dëshiruar, shqiptarët luten së bashku me popullin mik turk, që shpirtrat e viktimave të tragjedisë të prehen në paqe. a.y/NOA
Në foto: Kryeministri Berisha me homologun turk Erdogan