Ankara, 21 tetor, NOA - Kriza aktuale në Greqi nuk e ndihmon imazhin e Ballkanit në Perëndim. Por as nuk e ndihmon imazhin e Perëndimit në Ballkan. Kështu nis një artikull i medias turke “Today Zaman”, me titullin “Për një Federatë Ballkanike”, i cili mbron idenë e krijimit të një unioni të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo nisur nga fakti, që “ka më pak të ngjarë tani që vende të tilla si Bullgaria, të pranohen në Eurozonë dhe se asnjëri prej tyre nuk po digjet nga dëshira për t'u bashkuar në të”.
“Ata tashmë e kanë kuptuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk do t'i shpëtojë ata: Ata gjithmonë do të mbeten në një gjysmë periferie, do të mbeten një burim i punës së lirë dhe i burimeve, për bankat e pangopura të BE-së, ato shumëkombëshe dhe korporatat”. Më tej, artikulli citon rastin e Gjermanisë, për të cilën pohon se ajo udhëhiqet nga një "Balkanpolitik" brutale.
“Kjo është në interes të Bashkimit Evropian që për bazë ka luftën e kombeve të vogla në Ballkan, ku secili e ka me pasion flamurin e tij. Tranzicioni nga socializmi për te kapitalizmi, është i gjatë. Post-komunizmi në Ballkan nuk është ajo që njerëzit kanë në mendje kur ra Perdeja e Hekurt ra në Berlin në vitin 1989. Vendet e Ballkanit sot kanë më shumë të përbashkëta me Afrikën e Veriut se sa me thelbin e Bashkimit Evropian. Siç thonë ata në Kroaci këto ditë, "Zagrebi është Maghreb", citon artikulli. Më tej, ai vijon me idenë e rritjes së euroskepticizmit në Ballkan, veçanërisht tani që i vetmi vend "komunist" i fundit, Greqia, është duke iu nënshtruar programeve të ashpra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE).
“Për 20 vjet, anëtarësimi në Bashkimin Evropian ka qenë një objektiv për të gjitha forcat politike në Ballkan. Jo më shumë. Një brez i ri ka hyrë në politikë në Ballkan nëpërmjet veprimeve të drejtpërdrejta demokratike në rrugë dhe jo maskaradave të demokracisë zgjedhore. E majta e re është ndarë nga e kaluara e socializmit shtetëror dhe e partive tradicionale shoqërore demokratike”, shton më tej artikulli.
Duke prekur më pas idenë e krijimit të një Federate Ballkanike, për të cilën pohon se ideja rreth saj ka nisur të kryhet pak para Luftës së Parë Botërore, gjatë periudhës së luftërave dhe përsëri në fund të 1940, e parë kjo si një përpjekje unifikimi në bazë të solidaritetit social dhe barazisë ekonomike mes vendeve që bëjnë pjesë në gadishullin e Ballkanit.
“Kjo është diçka që Evropa veriore donte ta parandalonte me çdo kusht. Një Ballkani i bashkuar në Federatë do të ishte një bllok i fuqishëm prej 55 milion njerëzish (pa llogaritur Turqinë)! Ballkani është pika e takimit të Evropës dhe Azisë, Krishtërimit dhe Islamit. Ai kontrollon rrugët e drejtpërdrejta të tokës mes Evropës Perëndimore, Azisë së Vogël dhe Lindjes së Mesme. Po kush humb nga një bashkim i Ballkanit? Çfarë ndodh nëse grekët, bullgarët, shqiptarët, serbët dhe rumunët sigurojnë dalje që portin e Selanikut apo qasje të lirë në portet e Adriatikut? Ashtu si problemi arabo-izraelit mund të zgjidhet vetëm nëse krijohet një shtet i vetëm? Greqia dhe Shqipëria mund të bashkohen në një republikë federative në Ballkan”, përfundon artikulli.
Heqja e kufijve në Ballkan ”Kufijtë në Ballkan duhet të shfuqizohen, së bashku me taksat dhe akcizat. Vendet e Ballkanit nuk do të paraqiten më në politikat e padrejta bujqësore të BE-së që janë në kundërshtim prodhimin e ushqimeve natyrore në këtë pjesë të botës, e bekuar me klimë të butë dhe tokë pjellore. Ballkani të ndalojë importimin e domateve të ngopura kimikisht dhe mollëve nga veriu evropian. Ata duhet të ecin në marshin e ekonomive të tyre me nevojat e njerëzve dhe jo fitimet e bankierëve dhe bosëve të pasur të BE-së. Krijimi i Federatës së Ballkanit do të kërkojë edhe monedhën e vet. Kjo do të inkurajojë shkëmbimin e tregtisë së barabartë në mesin e vendeve fqinje, diçka që është penguar sot me ekzistencën në Evropë të monedhave të ndryshme, të Eurozonës dhe jo-Eurozonë brenda Ballkanit. Por çfarë gjuhe do të ketë Konfederata Ballkanike? Anglishtja duket të jetë një opsion logjik meqë është gjuha ndërkombëtare, megjithatë, Britania e Madhe dhe SHBA nuk kanë luajtur historikisht një rol dominues në rajon”, vazhdon më tej artikulli në fjalë.
Një federatë e Ballkanit shihet ndërkaq, si diçka që mund të ndodhë brenda natës. Hapi i parë është krijimi i partive politike apo fronteve popullore në të gjitha vendet që kanë një program të përbashkët, domethënë: a) mospranimin e borxhit të jashtëm, b) shtetëzimin e bankave në mënyrë që qeveritë mund të luajnë role të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomive vendore, c) një monedhë e re ("balko"?) për një federatë të madhe në Ballkan pa kufij të brendshëm ku njerëzit dhe mallrat qarkullojnë lirshëm, d) heqja e tatimit për të ardhura të ulëta, c) krijimin e ekipeve të mëdha industriale, teknologjike dhe bujqësore d) arsim falas, transportit masiv, kujdes mjekësor dhe argëtim.
”Njerëzit do të kenë punë të denjë dhe më në fund ata do të shpëtojnë nga kthetrat e BE-së, SHBA-ve dhe kapitalit rus. Por a është e gjitha kjo ide fantastike e pamundur? Asgjë nuk është e pamundur në ditët e sotme. Një botë me shpresë të re dhe optimizëm, është mbi ne”, përfundon Today Zaman.
n.e/NOA