English

Vrau 13 vite më parë, jetonte me identitet të rremë

Romë, 21 tetor 2011, NOA/Arjola Ymeraj - Policia e Romës bëri të mundur gjetjen dhe arrestimin e një të kërkuari nga drejtësia, shqiptarin me iniciale G.N 38 vjeç rezident në Itali prej vitesh nën emër të rremë. 38 vjeçari kërkohej në nivel ndërkombëtar që nga viti 2007 pasi ishte dënuar nga Gjykata e Durrësit me 20 vite burg për vrasje të kryer në qytetin bregdetar në tetor të vitit 1998. Personi në fjalë në atë kohë 25 vjeç vrau një bashkëkombësin e tij me të shtëna armësh gjatë një grindje në një bar në Durrës, duke humbur për vite me radhë gjurmët e tij. Por për të mbërritur tek ai policia italiane ngriti disa postblloqe, deri në zonën e Casalotti ku i shumëkërkuari jetonte me identitet të rremë, me certifikatë dhe kartë identiteti italiane. Operacionet e nevojshme për identifikimin e sigurt të të kërkuarit zgjatën disa orë dhe u kurorëzuan falë bashkëpunimit të Interpolit italian dhe Policisë Shqiptare. I arrestuari aktualisht ndodhet në burgun e Regina Coeli, në pritje të gjyqit nga Gjykata e Apelit në Rome ku pritet të marrë dhe vendimin e prerë për të vuajtur më pas dënimin. a.y/NOA

KOMENTE