Lucca, 22 tetor 2011, NOA- Një shqiptar është arrestuar për vjedhje në Querceta të Italisë, pasi policët e zonës e prangosën në flagrancë në një lokal. Edison Lika 21 vjeç në orët e vona të mbrëmjes së djeshme hyri në një bar së bashku me një bashkëpunëtor, duke u drejtuar drejt kasës nga ku morën rreth 800 euro. Pas kësaj pronari i lokalit pas një ngurrimi dhe frike fillestare tentoi të ndalojë dy keqbërësit, të cilët për të garantuar arratinë e kërcënuan me një shishe të marrë nga banaku. Por fatmirësisht askush nuk u dëmtua dhe pronari menjëherë sapo dy grabitësit u larguan njoftoi policinë, duke u bërë edhe përshkrimin e dy hajdutëve. Kërkimet e menjëhershme të efektivëve të policisë bënë të mundur gjetjen e 21 vjeçarit Lika në tentativë për tu arratisur në këmbë, nëpërmjet disa arave të mbjella. Aktualisht shqiptari ndodhet në burgun e Luccas, në gatishmëri të autoritete gjyqësore, ndërsa pas heshtjes së tij lidhur me bashkëpunëtorin vijojnë hetimet për gjetjen e personit të dytë i cili vijon të jetë në arrati. a.y/NOA