Shkup, 22 tetor 2011, NOA- Ata theksojnë se pas qëndrimit në Turqi, Greqi, kanë ngelur në Maqedoni dhe disa prej tyre dëshirojnë të mbesin për të jetuar në këtë vend. Dhjetëra afgan, pakistanez, somalez dhe iranian kërkojnë statusin e azilit në Maqedoni. Në Qendrën për azilkërkues në Vizbeg të Shkupit përkohësisht janë strehuar 70 shtetas të huaj, kryesisht të këtyre vendeve të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës. Ata theksojnë se pas qëndrimit në Turqi, Greqi, kanë ngelur në Maqedoni dhe disa prej tyre dëshirojnë të mbesin për të jetuar në këtë vend. Një pjesë e tyre kanë aplikuar për statusin e azilit dhe i është miratuar për një periudhë të caktuar. Të drejtat e tyre janë që të lëvizin lirshëm kudo nëpër territorin e vendit. Gjatë tërë vitit në Qendrën për azil janë strehuar mbi 670 veta, pjesa më e madhe e tyre kanë braktisur vendin. Përveç kësaj qendre, një numër i madh i këtyre shtetasve të huaj së fundi janë të vendosur nëpër rajonit pranë zonës kufitare, kryesisht mbi fshatin Llojan që kufizohet me Luginën e Preshevës. Por, ata janë parë edhe në zonën përreth pjesës tjetër të kufirit në Karadakun e Kumanovës dhe Shkupit në kufirin me Kosovën. Azilkërkuesit nuk fshehin faktin se dëshirojnë të largohen drejt vendeve të Bashkimit Evropian apo në Britaninë e Madhe. Në Maqedoni nga viti 2005 deri tani, të drejtën e azilit e kanë përfituar vetëm 12 veta dhe se ata vazhdojnë jetën e tyre në vend. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thekson se respekton standardet evropiane për pranimin dhe përkujdesjen e azilkërkuesve. (INA)/NOA