Nga Edi Rama “Pavarësisht se ç’thotë Aleanca e Plehut, ne do shkojmë përpara me projektin e sjelljes së plehrave nga jashtë” tha Saliu. I quajti aleancë plehu të gjithë kundërshtarët e atij plehprojekti, edhe Presidentin e Republikës, edhe shoqërinë civile, edhe median, opozitën po e po. Cili kryeministër në cilin vend normal, demokratik, në Europë a kudoqoftë, do guxonte t’i quante kundërshtarët Aleancë e Plehut? Askush, askund. Ndërkohë që Saliu s’e ka problem të flasë për kundërshtarët siç flasin të gjithë banditët në krye të vendeve pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa garanci kushtetuese për askënd, pikërisht sepse votat i vjedh, gjyqet i komandon vetë, garancitë i shpërndan si shpërblime për të nënshtruarit e vet. Prandaj edhe ka për më tepër kurajën të gënjejë derrçe, përditë, duke folur për mrekullira ekonomike ndërkohë që popullit të vet i ka vajtur thika në rrashtë. Apo duke bërë së fundi ambientalistin e madh, në një vend të bekuar nga Zoti ku qeveria e tij s’po le vend pa shkatërruar. “Jam ambientalist” thotë “po s’jam antiglobalist”, medemek s’është si të gjithë ata që i thonë mos, mos i’a bëj peshqesh Shqipërisë plehrat e botës sepse Shqipëria sot po mbytet nga plehrat e veta. S’është si Presidenti i Republikës, që i thotë refuzoj ta firmos atë ligj plehrash ku s’ka vend për nenin që lejon importimin e plehrave nga jashtë. S’është as si intelektualët, që i kanë kushtuar njëzet vjet jetë mbrojtjes së ambientit dhe luftojnë sot dëshpërimisht për ta mbrojtur trupin e Shqipërisë nga kafshimet mizore të qeverisë së tij. S’është Saliu as si gazetarët kurajozë, që i kanë treguar popullit shqiptar të vërtetën rrëqethëse të kontrollit të mafies mbi linjat e transportit të plehrave drejt vendesh që s’pastrojnë dot as plehrat e veta. Si opozita s’është e s’është ai, njeriu që nxjerr përditë gjuhën rrugëve për të na sharë para kujt i del përpara dhe hap gojën mëngjez, drekë, darkë, për të gënjyer popullin. Po s’është as si populli vetë, që në këtë çështjen e plehrave ka si rrallëherë konsensus thuajse të plotë mesveti. Saliu është ndryshe vërtet, i do plehrat si asnjë shqiptar dhe s’i mjaftojnë tërë ato që ka përreth. Prandaj në vend se të gjejë rrugën për të çliruar Shqipërinë nga plehrat anembanë, i shton kapicës së tyre edhe një kapicë tjetër, potencialisht të tmerrshme, ardhur me viston e tij peshqesh nga jashtë për shqiptarët e mbetur peng mes plehrave. E bën për përfitime mirëfilli të paligjshme që i’a garanton barkut të oborrit të pushtetit të vet me këtë plehprojekt. Që e ndot akoma më keq përveçse Shqipërinë edhe parlamentin e votave të vjedhura. Po ku i hyjnë në sy Saliut plagët që i hap vendit dhe pisllëku që e ka mbuluar! Vetëm përfitimet e zmadhojnë beben e syrit të tij, njësoj si të atyre rrufjanëve andej nga Etiopia, Somalia e me rradhë në krye të vendeve të mbytura në fukarallëk e në plehra ku ky lloj peshqeshi kryeministror, me lëndë të padeklaruara radioaktive brenda, ka futur mortjen në trupin e vendit. Në vend se të çojë në këmbë tërë vendin me alarmin për mbytjen nga plehrat gjatë gjithë vijës së Adriatikut, përgjatë shtretërve të lumenjve e nëpër tërë territoret e shkelura të vendit, Saliu preferon të sundojë mes plehrave duke sharë e gënjyer përditë. Për të mbajtur me pahir një pushtet të degjeneruar që e ka degraduar shtetin shqiptar e moralin publik në një gradë ku s’ka qenë kurrë. Copë-copë. Në vend se të ndalojë shkatërrimin e mjedisit duke filluar nga Kruja, të cilën askush, askund në botë, po të kishte pasur privilegjin fatlum ta kishte pjesë të historisë së vendit të vet, s’do ta kishte rrjepur për të nxjerrë çimento e gurë apo djegur, për të nxjerrë gëlqere me goma të përflakura makinash, po do e kishte bërë avanskenë të krenarisë kombëtare, Saliu thotë gjithë kaposhllëk “Shqipëria ka uri për çimento!”. Në fakt nuk është Shqipëria që ka uri për çimento, po është barku i oborrit të pushtetit të tij që ka uri për Shqipërinë. Aq të madhe e ka urinë ai bark sa s’po pyet më as për oborrin dhe pyllin e Skënderbeut, lëre pastaj për lumenjtë, pyjet e plazhet larteposhtë që kafshohen e bluhen përditë për hesap të oreksit të vet të pashuajtshëm. Në vend se të vendosë një moratorium që ndalon rreptësisht prekjen e pyjeve, lumenjve, tokës së bukës, Saliu vete vendos moratorium mbi detin. Duke e bërë kësisoj Shqipërinë të vetmin breg të Mesdheut që nuk shfrytëzohet për lundrim mjetesh turistike, po vetëm për një lloj lundrimi qesharak të vetë kryeministrit të vendit. I cili del edhe në lajme si mashkull i suksesshëm ngaqë arrin të rrijë mbi ujë pa u mbytur. Po s’ka si të jetë ndryshe në fakt, sepse detin ai e di pellg për t’u llokoçitur, jo një pasuri kombëtare që duhet vënë në efiçencë të plotë. Prandaj flota shqiptare e peshkimit është një rrangallë groteske ndërsa peshkatarët kanë mbetur jetimë në mes të detit. E ndërkohë si kurrkund në botë kërcet dinamiti detshterrues pa marrë asnjë shembull nga fqinjët, të cilët si edhe e tërë bota me det investojnë pa pushim për peshkimin. Madje vijnë e gjuajnë peshk edhe në ujërat tona, gjë që s’bën kurrë vaki dot në ujërat e vendeve të asnjë vendi ku ka shtet, kurse këtu vetëm kështu mund të ndodhë përderisa qeveria nuk pyet për fatet e vendit po vetëm për fatin e vet. Vendi ynë po e humbet me shpejtësi fuqinë më të madhe që i fali perëndia, bukurinë, dhe bashkë me të edhe pasuritë e çmuara të një natyre të rrallë që po barbarizohet dita – ditës. Kjo nuk është një çështje ambientalizmi global apo antiglobalizmi mjedisor, siç e shtron halldupërisht Saliu. Kjo është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë, që po çarmatoset përditë edhe nga mburojat natyrale të mjedisit, përveçse po zhvishet e rripet lëkure përgjatë gjithë territorit të saj. Vetë përmbytjet e shpeshta dhe përherë e më të dëmshme s’janë tjetër veçse paralajmërimi alarmant i natyrës së dalë duarsh për shkak të sjelljes armiqësore të njeriut me të. Shqipëria e ka humbur vijimësisht në vitet e tranzicionit e vazhdon ta humbasë tokën e bukës, të cilën as në kohën e kontrollit diktatorial të çdo metri katror s’e ka pasur të tepërt për frymë popullsie. Ka humbur vijimësisht e vazhdon ta humbasë cilësinë e ujërave, për shkak të ndotjes së tokës, ndërkohë që vetë toka po ballafaqohet me kërcënimin e llahtarshëm të kripëzimit, nënkupto shterpëzimit të saj, në shumë pjesë prodhuese. Ka humbur vijimësisht e vazhdon ta humbasë pejsazhin e vet të mrekullueshëm, të cilin zhvillimi i paqëndrueshëm e ka plagosur simosozot më keq, e së fundmi plaga ka nisur të shfaqet tmerrueshëm dhe mbi lëkurën e mrekullueshme të Jonit, ku është edhe pjesa më e magjishme e bregut shqiptar. Po ç’mund të jetë Shqipëria nesër po të humbasë përfundimisht mundësinë për të prodhuar ushqime bio në tokën e saj, mundësinë për të ndërtuar një turizëm të bazuar tek spektakli i natyrës e i tavolinës buzë deteve, mes pyjeve a majë maleve, mundësinë për të qenë një bukuri tërheqëse mesdhetare e jo një pazar oriental që mbahet në këmbë me merkantilizëm, me para emigrantësh e me informalitet? Përgjigja është drithëruese, ashtu siç është drithërues edhe vetëm fakti i thjeshtë, domethënës, kokëfortë, se vetëm lajmi që në këtë vend importohen plehra nga jashtë do të mjaftojë për të trembur atë pak turizëm real që ka sot Shqipëria. S’e kam fjalën këtu natyrisht për turizmin e shifrave qesharake të Saliut, i cili edhe një qytetar shqiptar që del njëzet herë jashtë dhe kthehet njëzet herë në Shqipëri e numëron si njëzet turistë. Edhe pse, në fakt, në Shqipërinë e Saliut të gjithë janë turistë përveç atij vetë dhe oborrtarëve të tij, të cilët janë zotër të vendit, pronarë në tokat e të tjerëve, shitës të pasurisë së të tërëve, përvetësues të parave të gjithsekujt që kontribuon si taksapagues, megjithëse llogaritet thjesht si turist e pastaj trajtohet ashtu siç nuk ndodh kurrë të trajtohet një turist në një vend normal. Kështu që kur Saliu thotë se refuzimi publik për të pranuar importin e plehrave vjen nga reaksionarë antiglobalistë, të cilët duan të pengojnë furinë e zhvillimit tronditës para syve të mbarë botën e hutuar nga sukseset e tij prej vizionari e ambientalisti global, i cili pretendon se e ka kthyer Shqipërinë në fuqinë e dytë ekonomike në Europë e njëkohësisht në një model mjedisor të përbotshëm ndërkohë që Shqipëria reale po bie, copa e çika, në përtokën e mbushur me plehra, meriton si përgjigje vetëm një shuplakë të madhe popullore. Që jam i bindur se do të kërcasë kudo e fortë siç qe në 8 maj në gjithë Shqipërinë që paguan taksa, por këtë rradhë jo vetëm në çdo qytet, po edhe në çdo fshat. Sepse Shqipëria s’mund të mbajë pafundësisht në kurriz një personazh shoqërisht të rrezikshëm e njëkohësisht krejt qesharak, i cili i quan të gjithë ata që s’janë me të “Aleanca e Plehut” ndërkohë që kapardiset mu si një gjel majë plehut, mbi çatinë në rrënim të Shqipërisë së gërryer themelesh prej dhëmbëve të oborrit të tij. *Editoriali i Kryetarit të Partisë Socialiste Edi në Twitter