Bruksel, 22 tetor 2011, NOA – Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord që në 20 nëntor të zbatojnë marrëveshjet dypalëshe për lëvizjen e lirë dhe dokumentet e regjistrit kadastral të arritura me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Ishin grupet e ekspertëve nga Kosova dhe Serbia që e vendosën këtë datë në takimin më të fundit të ndërmjetësuar nga BE. Komunikata më e fundit e Qeverisë së Kosovës e shpërndarë për mediat thotë se ekspertët e të dy vendeve kanë vendosur që më 20 nëntor të aprovohet plani për implementimin dhe të nisë zbatimi i plotë i marrëveshjes për kthimin e dokumentacionit kadastral. Qeveria e Kosovës sqaron se me këtë marrëveshje, Serbia obligohet t’i kthejë dokumentet kadastrale të marra nga Kosova gjatë luftës. Ndërsa, Kosova detyrohet të kompletojë sistemin e vet kadastral si dhe të zgjidhë çështjet kontestuese kadastrale konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe standardeve evropiane. Në takimin për zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë janë përafruar qëndrimet mes palëve rreth planit të zbatimit. “Qeveria e Kosovës në këtë takim konfirmoi se i ka përmbyllur të gjitha përgatitjet e nevojshme për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Po ashtu u konfirmuan përgatitjet që më 1 nëntor në Kosovë të fillojë zbatimi i asaj pjese të marrëveshjes për heqjen nga përdorimi i tabelave ilegale të automjeteve dhe zëvendësimi i tyre me ato legale”, thuhet në komunikatë. NOA