Shkodër, 22 tetor 2011, NOA- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta nga qyteti i Shkodrës ku ishte ndalur në një takim me anëtarët e partisë së tij në këtë qytet bëri apel për Reformën Zgjedhore duke kërkuar që e gjithë klasa politike të përfshihet në të. Më tej ai u ndal edhe në çështjen e zgjedhjes së Presidentit, duke thënë se 2012 ka çështje më të rëndësishme siç është për shembull 100 vjetori i pavarësisë. Ndër të tjera ai reagoi lidhur me botimet e gazetës “La Republica” duke theksuar se nuk ka asgjë të vërtetë në publikimet e saj. Gjatë fjalës së tij kreu i LSI u shpreh se gazeta do ti kërkojë falje publike atij dhe se do i paguajë 50 mijë euro. Ndërkaq dje u mësua se kreu e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka paditur për shpifje gazetën italiane “La Republica”. Padia për shpifje në gjykatat italiane vjen pas publikimit të një intervistë për të përditshmen italiane “La Repubblica” të ish-zv/kryeministrit dhe ish-Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, lidhur me skandalin Lavitola. Referuar kësaj interviste, Meta mohon ta ketë dhënë atë për gazetën, ndërsa ka bërë me dije se e njeh Lavitolën si përfaqësues të medias italiane. “Kjo gazetë jo-serioze, e cila është dënuar edhe më parë për shpifje dhe manipulime, ka guxuar përsëri të fabrikojë një të ashtuquajtur intervistë të z. Ilir Meta, me qëllim interesash të luftës së brendshme politike në Itali. Dua të konfirmoj se Meta jo vetëm që nuk e ka dhënë apo autorizuar një intervistë të tillë, por një personi që e ka telefonuar atë në emër të gazetës këtë javë, i ka bërë të qartë se do të pranonte të jepte një intervistë për “La Republica”, vetëm pasi kjo e fundit të kishte botuar vendimin e Gjykatës që dënon gazetën. Makinacionet dhe fabrikimet e segmenteve të caktuara për të manipuluar të vërtetën, me qëllim dëmtimin e figurës së z.Franco Frattini, janë të papranueshme për z. Meta, pasi z. Frattini ka dhënë një kontribut të veçantë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët, duke qenë njëkohësisht arkitekt i Udhërrëfyesit të këtij procesi të rëndësishëm”, u shpreh Sekretari i marrëdhënieve me Publikun në LSI, Ardit Çela. a.y/NOA