Tiranë, 22 tetor 2011, NOA – Të hënën mbërrin në Tiranë një delegacion i përbashkët i Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, i kryesuar nga sekretari i Komisionit të Venecias, Thomas Markert. Lajtmotiv i vizitës dyditore të delegacionit të Komisionit të Venecias është shkëmbimi i pikëpamjeve të KV-së dhe ODIHR-it, mbi përmirësimet që mund t’i bëhen legjislacionit zgjedhor dhe praktikave zgjedhore në Shqipëri, bazuar në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland. Delegacioni do të takohet me Kryeministrin, Kryetaren e Parlamentit, Ministrin e Punëve të Jashtme, lidershipin socialist dhe përfaqësues të partive të tjera politike, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri, etj. Pas përfundimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit dhe kontestimit të tyre nga opozita për shkak të numërimit të fletëve të hedhura në kutitë e tjera si të vlefshme dhe ndryshimit të rezultatit final të tyre në kryeqytet, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës Jagland i kërkoi Komisionit të Venecias të shprehej lidhur me ndryshimet që duhen bërë në Kodin Zgjedhor shqiptar në mënyrë që të mos hasen kontestime të tilla si në Tiranë gjatë betejës së tejzgjatur deri në dyert e gjykatës, për kryebashkiakun e Tiranës. Në fund të vizitës së tyre delegacioni do të mbajë një konferencë për shtyp të martën më 25 tetor 2011, në orën 12:15, në ambjentet e Hotel Rogner. mit/NOA