San Marino, 22 tetor 2011, NOA- Desara Muriqi, pilotja shqiptare është fituese ndër femra e Kampionatit Botëror FIA Energji Alternative. Fundjavën e kaluar me Ecorally San Marino, Qyteti i Vatikanit mbaroi kampionati botëror i organizuar nga Federata Internacionale e Automjeteve i rezervuar për automjetet e ushqyera nga energji të rinovueshme. Në garë u rendit në vendin e gjashtë shqiptarja Desara Muriqi, e cila me këtë rezultat shënoi një seri rekordesh, pasi është në fakt, pilotja e parë shqiptare që arrin të marrë pikë në klasifikimin botëror FIA, dhe është femra që ka arritur vendin më të lartë në historinë e Kampionatit Botëror për Energji Alternative. Desara Muriqi, lindur në Shkodër në vitin 1985, jeton në Itali - Sansepolcro, Toscana - që nga shkurti i vitit 2002. Ajo është shembull perfekt integrimi. E diplomuar në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Sienës, flet rrjedhshëm pesë gjuhë, është aktore teatri dhe nxënëse e profesorit Andrea Merendelli. Në garën e fundit të Kampionatit Botëror FIA, Desara, pilote e skuadrës Imega - ka nisur një Jeep kineze 'Gonow GA200'. Pranë saj, duke përbëre një ekip kozmopolit, ndodhej si co-pilote ukrainsja Yulia Lutsyk. Me këtë vend të gjashtë, pilotja shqiptare është demonstruar veçanërisht e aftë, duke mundur kampionin italian Vincenzo Di Bella i cili aktualisht është zëvendës kampion botë, po ashtu dhe francezin Raymond Durand, kampion në vitin 2009 dhe 2010. "Shpresoj që ky rezultat i rëndësishëm- tha gjatë ceremonisë së dhënies së çmimeve Desara Muriqi- të ndihmojë në përhapjen e kulturës ambientaliste dhe ekologjike në Shqipëri. Një hap i parë në Shqipëri do të ishte përhapja e përdorimit të energjisë së pastër si gazi”. a.y/NOA
Në foto: Pilotja Desara Muriqi