English

Skandali që donin ta fshihnin

Një sërë raportesh nga auditori i brendshëm i Parlamentit, gjetën se diku shtatë mijë zyrtarë të pazgjedhur, të cilët punojnë për Parlamentin Evropian, kanë të përbashkët shkeljen e rregullave të rëndësishme

Nga "The Daily Telegraph"

Pjesëtarëve të stafit u lejohet t’i autorizojnë shpenzimet e veta dhe t’u japin ndihmë financiare familjarëve të tyre, pavarësisht se auditori kishte tërhequr vërejtjen për rrezikun e “konfliktit të interesit”.

Raportet, të cilat mbulojnë tri vite, identifikojnë instancat e zyrtarëve të cilëve u janë dhënë paga të dyfishta ose ndihma financiare, për të cilat ata nuk kanë të drejtë.

Zyrtarët po dështojnë të sigurojnë vlerën më të mirë për paratë e taksapaguesve në dhënien e kontratave, përderisa fondet e zgjeruara po u jepen partive politike të Parlamentit pa ndonjë auditim të duhur rreth mënyrave të shpenzimit, thuhet në raporte.

Pavarësisht këtyre gjetjeve, ato janë mbajtur të fshehta nga shumica e anëtarëve të Parlamentit Evropian duke lejuar- në këtë mënyrë, vazhdimin e pakontrolluar të keqpërdorimeve.

Vetëm 14 deputetë të Parlamentit Evropian, të cilët përbëjnë një komitet të quajtur “bureau” e që administron asamblenë, i kanë parë raportet. Atyre u është kërkuar të nënshkruajnë një nen konfidencial i cila u ka pamundësuar pastaj publikimin e problemeve.

Tri raportet më të reja, që mbulojnë vitet 2007, 2008 dhe 2009 i janë dhënë gazetës pas kërcënimit për ndërmarrjen e veprimeve ligjore dhe ndërhyrjen e deputetëve të lartë të Parlamentit Evropian, të cilët besonin se do të duhej të publikoheshin dokumentet në fjalë.

Sekretari gjeneral i parlamentit, Klaus Velle, tentoi të bllokojë publikimin duke thënë se me këtë veprim auditorët do të “pengonin procesin e vendimmarrjes”.

Por, Diana Vallis, anëtare liberal-demokrate e byrosë, tha se publikimi do t’u ndihmonte deputetëve të përmirësojnë punën e parlamentit.

“Ne kemi pasur mjaft kohë për ta lexuar raportin e auditimit të brendshëm dhe për të zbatuar rekomandimet. Andaj, besoj se ka qenë obligim i yni të sigurohemi që të publikohen këto raporte”, tha ajo.

Sipas zyrtarëve të lartë, auditori-një kontabilist britanik me emrin Robert Gellvin, i ka shkruar vazhdimisht Velles dhe byrosë për të shfaqur shqetësimin e tij.

“Personeli duhet të rrisë vetëdijen për menaxhuesit e tij të dokumenteve lidhur me rrezikun e konfliktit të interesit, ndërsa duhet t’i udhëzojë ata që kurrë të mos merren me dokumentet e veta apo ato të familjarëve të tyre”, është një nga vërejtjet e Gellvinit.

Raportet gjetën parregullsi “kritike” dhe konflikt të interesit rreth kontratave të prokurimit me vlerë prej më shumë se 600 milionë funtash britanike në vit. Në departamentin e financave të Parlamentit, i cili ka një buxhet prej 298 milionë funtash, auditori ka hasur në mungesë të garancës se është përdorur vlera më e mirë e parave” dhe kontrolle “joefikase” mbi dhënien e kontratave.

Auditimi i fundit i këtij departamenti, që është bërë në korrik të këtij viti, thekson se departamenti nuk i është përgjigjur vërejtjeve të raportit të fundit.

Problemet “sistematike” janë identifikuar në departamentin e informimit dhe të logjistikës, i cili ka një buxhet prej 158 milionë funtash.

Auditimi ka vënë gjithashtu në pah se partive politike u janë dhënë fonde edhe pse ato kanë refuzuar të veprojnë sipas rregullave. Paratë janë dhënë pa ndonjë vërtetim mbi “pranueshmërinë e kostos” ose ndonjë kontrolli adekuat, me të cilin do të sigurohej se paraja është shpenzuar në mënyrë të duhur.

Në vitin 2006, tri parti politike të BE-së, të cilat marrin benefite prej më shumë se 5 milionë funtash në vit, kanë refuzuar të “publikojnë në tërësi burimet e tyre të financimit” duke shkelur në këtë mënyrë rregullat.

KOMENTE