English

Topi Vs Topalli: Konteksti kosovar

Nga Halil Matoshi Duke instrumentalizuar një çështje kulturore, gjuhën shqipe, përkatësisht dialektin gegë si mjet të luftës politike, për ta forcuar pushtetin e tij, presidenti shqiptar Bamir Topi e nxori të pavetëdijshmen e ndrydhur, imperializmin gjuhësor të jugut shqiptar, që po rizgjohet, karshi “elementëve reaksionarë” që kanë mbetur jashtë projektit të standardit të shqipes, të vendosur më 1972 me diktat të partisë-shtet dhe të diktatorit Enver Hoxha.

Ky diktat megjithatë në Prishtinë është pranuar “vullnetshëm”, i injektuar përmes propagandës ideologjike, nacional-socialiste, dhe duke shfrytëzuar një gjendje transi dhe euforie romantike të kosovarëve që sapo kishin shliruar pak lakun rreth fytit.

Këtë më së miri e shpjegon pika shtatë e Konkluzave të Konsultës gjuhësore të Prishtinës të vitit 1968, e cila mbështetet te “trajtimi i drejtë socialist i pozitës e i funksionit të kombësisë, të relacionit kombësi-kombi ëmë...” Kosovarët në këtë rast, “vullnetshëm”, e kanë arsyetuar të qenit kombësi (sipas një leksikofobie dhe grafofobie) e jo komb në ish-federatën jugosllave, sepse “vullnetin” e tyre në spektrin e kulturologjisë (gjuhës) ia kanë bartur kombit amë, pra Tiranës zyrtare, duke ia dhënë pameritueshëm pozitën e piemontit kombëtar dhe duke rrënuar nga brenda qenien e tyre të barabartë me kombet tjera shtetformuese në ish-Jugosllavi. Por ky aspekt tek duhet të studiohet.

Veriu shqiptar, e veçanërisht Shkodra, nuk kanë hequr dorë kurrë me vullnet nga e folmja e tyre e shqipes, pra nga dialekti gegë dhe tendencat për rikthimin te rrënjët e qytetërimit (gjuha si shpalosje e shpirtit të një civilizimi) dhe konflikti rreth gjuhës në këtë pjesë të Shqipërisë ka qenë gjithnjë latent, i përmasave shpërthyese.

Së këndejmi, Tirana zyrtare, sidomos pas rënies së komunizmit “ua ka ngrehur veshët” kosovarëve, për t’i bindur ata se standardi gjuhësor është “shtylla kurrizore” për unifikimin e kombit, e janë plot elementë tjerë pos gjuhës, por Tirana i ka heshtur dhe ka investuar vetëm në ngritjen e mitit të gjuhës letrare, për ta ngritur një “komb proletarësh”. Tashti po shihet se e ka bërë këtë për t’i çuar sinjale Shkodrës.

“S’ka lojë me gjuhën e unifikuar shqipe” – kanë dashur t’u thonë shkodranëve.

Po cila është ajo gjuhë shqipe dhe a janë pyetur të gjithë ata që veten e ndiejnë shqiptarë ose që flasin shqipen, kur ajo është kodifikuar?

A është po ashtu shqipe dialekti gegë dhe sa është dëmtuar ai?

Prerja me diktat nga partia-shtet e ka shkallmuar zhvillimin e dialektit gegë sidomos në leksik e sintaksë (heqja e paskajores), por kjo prerje e ka dëmtuar edhe zhvillimin e toskërishtes, kur ishte në vlugun e saj më të madh.

Njësimi gjuhësor së këndejmi ka ndodhur parakohshëm, me vendime politike dhe në dëm të njërit dialekt, pra duke vendosur hegjemoninë gjuhësore të toskërishtes mbi gegnishten. E tash, shqiptarëve gjithandej ku jetojnë në entitetet e tyre politike-kombëtare u bie ngushtë ai standard, i vjetër katërdhjetë vjet, në të cilin askush s’e ka hedhur tutje asnjë gur...

Në anën tjetër, kryeparlamentarja shqiptare, Jozefina Topalli, i bëri një mbrojtje të keqe gegnishtes, duke përdorur ndaj palës tjetër të njëjtat argumente e mjete, politike dhe përjashtuese.

Nëse Topit i ka folur e nënvetëdijshmja për “gjuhën reaksionare” të veriut, Topallit i ka folur po ashtu e pavetëdijshmja, që identifikon shqiptarët e besimit mysliman me figurën e Haxhi Qamilit, figurë e errët dhe tragjike në prag të pavarësisë kombëtare, që po ashtu ka një përdorim të gjerë, jo vetëm në historiografinë e interpretuar ideologjikisht, por edhe si levë për qërimin e hesapeve politike në linjat ndarëse jug-veri.

Këto përplasje, shikuar nga prizmi kosovar, po të ishin thjesht politike, aq u bën atyre, kosovarëve pra, por janë edhe kulturologjike, dëshmojnë për një çarje shpirtërore para se të dëshmojnë hendekun politik brenda vetë kombit shqiptar në Republikën e Shqipërisë, sado të kamufluar mirë, hala, në prag të 100-vjetorit të pavarësisë shtetërore...

Pas shpërfilljes, nënçmimit dhe fyerjeve gjysmëzyrtare të “kosovarëve” se si flasin trashë, malokçe, me një fjalë jo shqip, në emisione Talk Shaw; fyerja raciste rrëshqiti nga goja e një presidenti politikisht korrekt deri më tash.

Pra fjalia e tij për “ato zonja e zotërinj që nuk dinë të flasin shqipen korrekt” më në fund e bëri publik konfliktin kulturologjik ndërshqiptar që e ka përshkuar tërë shekullin 20.

Mjaft gjatë, nga elitat kulturore, politike e mediale të Tiranës u shanë dhe u fyen “disa kosovarë antikombëtarë e aventurierë” që flisnin për rishikimin, së paku, të standardit, duke dashur që konflikti të spostohej jashtë kombit, pra në Kosovë, derisa konflikti i zjarrtë preku vetë majat e pushtetit politik në Shqipëri.

Në anën tjetër, në spektrin gjeokulturor shigjeta qëlloi n’shenjë, duke prekur tërë arealin verior shqiptar, pra edhe Kosovën.

Derisa kosovari në Portokalli, Fiks-Fare etj. ishte secili qe flet variantin verior të shqipes, i cili, patjetër se do të bartte damkën si “elementë joqytetar” në komb, ngase nuk flet shqipen e rendit të parë të qytetarisë në komb, siç pretendojnë imperialistët e rinj të Tiranës. Kosovari së këndejmi me lehtësi të padurueshme, shikohej si dikush nën ndikimin e serbëve etj. por jo si shqiptar me qytetari.

Sot, paradoksalisht ai kosovar simbolik në Tiranë u piketua hiç më pak se kreu i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topalli. Dhe kafshuesit e radhës të shpirtrave nuk janë më aktorë ose moderatorë televizivë, e shpotitës kafenesh, por vetë kreu i shtetit që përfaqëson unitetin e kombit, Bamir Topi.

Ky njeri i cili ka një emër tipik gegë, të krijuar nga paskajorja e foljes ‘me bâ’ (Bâ) dhe ndajfolja ‘mir’ (me ba mir(ë)=Bamir), tashti ngrihet në “nivel të detyrës” dhe drejton shigjetat nga spikerja e Kuvendit Popullor, Topalli, e cila porositet ta mësojë shqipen.

Por, kjo porosi, s’ka se si të mos kuptohet se i ka caqet përtej personalitetit të zonjës Topalli. Ashiqare, Topi dëshiron të bëhet edhe kryetar i gjuhës shqipe (asaj të Standardit ’72 të “nënshkruar” nga Enver Hoxha, atje lart në lozhat e Kongresit), pa i ra ndërmend se gjuha është pronë e atyre që e flasin dhe ajo nuk duhet të ketë një arbitër, aq më pak me post politik.

Presidenti Topi ka thënë se Topalli është një spikere që nuk reciton mirë ato që i thonë të tjerët. “Së pari, këto zonja apo zotërinj duhet të mësojnë artin e komunikimit qytetar, sepse komunikojnë publikisht me institucionin e presidentit. Së dyti, nëse do dalim në një plan tjetër, spikeri përgjithësisht i merr tekstet nga të tjerët. Çështja është sa mirë e reciton tekstin. Por së paku në komunikim të jenë qytetarë dhe ta flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte.”

Në lexim të parë, areali verior shqiptar vëren vetëm elementin gjuhësor, të spikatur në fjalimin e Topit, dhe njerëzit e këtij areali bëhen gati ose për të qajtur ose për t’u hedhë në kryengritje, sepse presidenti “ka vu dorë përmi Gegën…”, si gjuhë, kulturë, traditë, histori e qytetërim… Por nga këta protestues që rrinë gatitu nuk hetohet kurthi i kësaj gjuhe të monopolizuar nga pushteti në Tiranë. E kurthi qëndron pikërisht jo te gjuha, por te qytetaria, sepse Topi me shumë dinakëri, në piedestal të atyre që flasin shqipen me korrektesë vendos qytetarinë e rendit të parë në komb, në këtë rast jugun shqiptar, ndërkaq që, Shkodra, tërë veriu e matanë, një shoqëri shqiptare që gjeokulturalisht, pra për nga dialekti gegë shpirtërisht ndërlidhet me veriun, që quhet Kosovë, e që po ashtu i rezervohet një rend i tretë a i katërt qytetarie në këtë komb unik, i cili kurrë s’është krijuar, por u ka shërbyer elitave politike si prononcim politik për ta mbajtur pushtetin.

Gjenealogjia e konfliktit ka një prapavijë politike e jo gjuhësore ose krahinore, mirëpo, duke bërë politikë nga gjuha, Topi e ka nxjerrë nënvetëdijshëm “imperializmin gjuhësor”, ndonëse nuk është ai ndër njohësit dhe folësit më elegantë të shqipes letrare.

Debati mes presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe Jozefina Topallit, e ka zanafillën te një deklaratë e zonjës Topalli (aspirante për postin e presidentit të ardhshëm) që e kishte cilësuar Topin si celulë antieuropiane.

Presidenti tha se ata ose këto zonja e zotërinj “duhet të mësojnë artin e komunikimit qytetar”, pra të komunikojnë sipas etikës (sipas masës së pushtetit) dhe siç e do rendi i parë i qytetarisë në komb!?

Nuk thonë kot gazetarët e vjetër dhe diplomatët veteranë se djalli fle në detaje.

Po kush vërtet e përbën rendin e parë të qytetarisë në kombin shqiptar?

Jugorët apo veriorët?

Sipas nënvetëdijes së shpërthyer të Topit, kjo qytetari e rendit të parë në komb është areali gjeokulturor jugor (toskëria), përkatësisht qytetaria që e ka asimiluar standardin e ’72-shit. Dhe pikërisht kjo ide e krisur thyen kohezionin kombëtar në vetë Shqipërinë.

Të mos flasim për Kosovën, e cila, sado me plot inferiorë, kurrë s’do të pranonte rende qytetarie në komb.

E postulati themelor që vlen për gjuhët në BE është: “Jemi të bashkuar në diversitet”.

Ndaj konfliktit politik përgjigjen më të drejtë dhe jokonfliktuale e dha një diplomat evropian në Tiranë. Gazetarët e pyetën atë se cilën gjuhë ai preferonte më shumë, përkatësisht cilin dialekt të shqipes!?

“Cila është gjuha që unë preferoj”?- pyeti ai, për të dhënë një përgjigje lakonike.

“Përgjigjja ime është e thjeshtë: Gjuhën e bashkimit…”

Por kjo gjuhë bashkuese nuk mund të diktohet nga askush në demokraci.

Ajo krijohet.

KOMENTE