English

Votimi për delegatët, Gjonçaj: Interes në rritje

Tiranë, 22 tetor 2011, NOA- Zgjedhjet e nisura sot në Partinë Socialiste për delegatët që do të marrin pjesë në kongresin e 5 nëntorit sipas Kryetarit të Komisionit Zgjedhor në PS Genc Gjonçaj thuhet se po ecën normalisht. Gjatë një prononcimi për mediat ai tha se, proces i votimit ka filluar rreth orës 8 dhe se deri në orën 12 pjesëmarrja e anëtarësisë në këtë proces votimi, pra e anëtarësisë së Partisë Socialiste, është 55% dhe kjo në rang kombëtar. “Anëtarësia është thirrur për t’u shprehur lidhur me delegatët e kongresit të Partisë Socialiste, një proces që deri në këto momente që flasim po ecën mirë. Ka një interes të anëtarësisë për të votuar. Ka rrethe, ka komuna, ka bashki, të cilat shkojnë edhe në 70-80% të numrit të anëtarësisë. Por, përgjithësisht në një mesatare paraprake, jemi diku tek 55%, një mesatare krahasuar qoftë me zgjedhjet vendore apo zgjedhjet e përgjithshme është shumë e kënaqshme, sepse tregon për një interes për t’u shprehur lidhur me ata persona që do të përfaqësojnë strukturat e partisë në Kongres”, u shpreh Gjonçaj. Mësohet se nga votimet do të zgjidhen rreth 900 delegatë. Në bazë të llogaritjeve, për çdo 100 anëtarë të regjistruar do të zgjidhet një delegat. Ndërkohë që pjesa tjetër e delegatëve të kongresit është në bazë të statusit të PS; 384 kryetarët e organizatave socialiste, 225 kryetarët të bashkive dhe komunave dhe 64 deputetët janë automatikisht pjesë e kongresit. Më herët në orët e para të paradites votoi edhe kryesocialisti Edi Rama i cili ka votuar njësoj si 80.000 anëtarët e tjerë të Partisë Socialiste në mbarë vendin për delegatët e kongresit të 5 nëntorit. Në fjalën e mbajtur menjëherë pas votimit ai u shpreh: “Përshëndes të gjithë anëtarët dhe të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste në të gjithë Shqipërinë, që sot ashtu si dhe një pjesë në emigracion po votojnë për konstituimin e Kongresit të ri të Partisë Socialiste. Jam shumë i kënaqur nga të dhënat që kemi deri tani për pjesëmarrjen. Ashtu sikundër jam shumë i kënaqur për konsolidimin e një tradite të promovimit të barazisë gjinore në forumet e Partisë Socialiste të Shqipërisë.” a.y/NOA

Në foto: Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PS Genc Gjonçaj

KOMENTE