English

Barrikadat, serbët e veriut takojnë Tadiçin

Beograd, 23 tetor, NOA - Përfaqësuesit e komunave në veri të Kosovës pritet të takohen sonte në mbrëmje në Beograd me presidentin e Serbisë Boris Tadiç për të biseduar mbi mundësitë e zgjidhjes së krizës në veri. Ata u kanë thënë medieve serbe se nga presidenti Tadiç do të kërkojnë një përgjigje të qartë se cila është politika shtetërore e Serbisë ndaj Kosovës. “Presidentin Tadiç do ta njoftojmë për situatën në veri të Kosovës dhe në lidhje me bisedimet që i kemi pasur dje me krerët e KFOR-it dhe EULEX-it në Mitrovicë”, ka thënë përfaqësuesi i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviç. Ai ka vlerësuar se krizën në veri nuk mund ta zgjidhin përfaqësuesit e komunave dhe se "është e domosdoshme që këtu të përfshihet edhe udhëheqja shtetërore e Serbisë". Për takimin e sotëm, personat që mbajnë të bllokuar rrugët t në fshatin Jagnjenicë i ka njoftuar përfaqësuesi i Zubin Potokut, Slavisha Ristiç. Një ditë më parë, kreu i EULEX-it, Ksavie De Marnjak, dhe komandanti i KFOR-it, Erhard Drevs, takuan përfaqësuesit e komunitetit të serbëve të veriut të Kosovës në Shtëpinë e BE-së në këtë pjesë të vendit. Takimi thuhet të ketë pasur për qëllim diskutimin rreth lirisë së lëvizjes si “parim kryesor të Bashkimit Evropian”. “Liria e lëvizjes duhet të rivendoset shumë shpejt duke larguar bllokadat rrugore për të mirën e popullatës lokale dhe pranisë ndërkombëtare-përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in”, thuhej në komunikatën e EULEX-it. NOA/RFE

KOMENTE