Bruksel, 23 tetor, NOA - Me një seri takimesh, politikanët europianë po përpiqen para samitit të BE-së, që nis punimet sot (23.10) në Bruksel, të gjejnë një zgjidhje të efektshme për krizën e borxheve. Ministrat e Financave të BE-së në një takim të së shtunës ranë dakord për rritjen e kapitalit rezervë të bankave, kjo për shkak se ato do të heqin dorë nga një përqindje më e madhe, se sa ishte planifikuar deri më tani e shlyerjeve që duhet t'u kthejë Greqia, bankave. Praktikisht kjo do të thotë falje e pjesshme e borxheve greke. Qëllim tjetër është forcimi i fondit të shpëtimit, i cili deri më tani është pajisur me 440 miliardë euro. Nëse kriza e borxheve përfshin Italinë dhe Spanjën, atëherë nuk do të mjaftonte shuma aktuale e fondit të shpëtimit për t'i ndihmuar këto vende. Prandaj synohet rritje e efektivitetit të këtij fondi përmes vënies në veprim të "levave" financiare". Vendimet përfundimtare të maratonës së samiteve në BE veçse priten të mërkurën. NOA/RFE