English

Berisha: Opozita nuk na ndalon dot

Dibër, 23 tetor 2011, NOA/ Irma Toptani – Një ditë pasi lidershipi i Partisë Socialiste Edi Rama i cilësoi deklarata banditeske akuzat e kryeministrit ndaj kundërshtarëve politikë, akuza që mbërritën në adresë të atyre që u ngritën kundër ligjit për mbetjet urbane i rikthyer në Kuvend nga Presidenti, lidershipi demokrat Sali Berisha përgjigjet kështu nga Peshkopia. “Atë që i kemi bërë ne vetes nuk na e kanë bërë të tjerët. Më shumë i kemi bërë ne keq vetes sesa na kanë bërë të tjerët, se atë që bëri diktatura nuk na e ka bërë asnjë pushtim”. Këtë shprehje, të cilën e artikuloi edhe dy javë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, zoti Berisha e ritheksoi përballë banorëve të Peshkopisë në qarkun e Dibrës, ku u ndal këtë të dielë për të inauguruar gjashtë investime publike në infrastrukturë. Kryeministri akuzoi opozitën duke u shprehur se ashtu si në të shkuarën edhe ata kanë gjetur një mënyrë për t’i bërë keq vendit, në këtë rast për të penguar marrjen e statusit, duke mos votuar ligjet me 3/5. “Kam qenë këtu në vitin 1986. Nuk harroj kurrë dhe nuk kam për t’i harruar ato muaj që kalova këtu me njerëz të mrekullueshëm të Dibrës; njerëz të cilët diktatura i kishte vendosur në varfërinë me ekstreme. Njerëzit më punëtorë ndër shqiptarët ishin katandisur në mjerimin më të thellë dhe këtë nuk na e bënë pushtuesit e tjerë”, ripërsëriti kryeministri. Duke rivlerësuar faktin se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe se liritë e të drejtat e shqiptarëve janë të garantuara njëherë e përgjithmonë, shefi i mazhorancës bëri me dije se opozita vërtet mund të pengojë statusin, duke mos dhënë votën, por për këtë ajo duhet të mbajë përgjegjësi pasi ka vepruar kundër të drejtave të të gjithë atyre qytetarëve që i dhanë votën në zgjedhjet e shkuara. Zoti Berisha e ricilësoi betejë të turpshme e donkishoteske luftën e opozitës në parlament kundër ndërtimit të rrugës së Kombit, asaj të Arbrit, kundër rrugës Tiranë-Elbasan, rritjes së pensioneve dhe shtrirjes së internetit nëpër të gjitha shkollat e vendit. “Unë ju shtroj pyetjen të gjithë socialistëve të Peshkopisë, të Kukësit, të Tiranës të mbarë Shqipërisë, votuat ju për ta, që ata të mos votojnë në parlament statusin për fëmijët tuaj, për familjet tuaja për Shqipërinë në Bashkimin Evropian? Thash lavdi Zotit për dy arsye, arsyeja e dytë është se shumica e gjërave janë në dorën tuaj, të dashur qytetarë dhe qytetare, janë në dorën e shumicës që vendos në parlament”, tha kryeministri. Shefi i ekzekutivit deklaroi se zhvillimin e vendit drejt familjes evropiane nuk mund ta ndalojë asgjë. “Nuk mund ta ndalojnë, sepse ai bazohet në një seri reformash. Të tjera reforma, kanë si synim të ndryshojnë gjithnjë me shumë për mirë jetën tuaj, t’ju bëjë më të sigurtë, më të begatë e më të lirë”, u shpreh shefi i mazhorancës. Ai garantoi se gjatë viteve në vijim do të shumëfishohen investimet për komunën Kastriot e rrethin e Peshkopisë. Ai premtoi se qeveria do të mbështesë çdo projekt që synon lehtësimin, përmirësimin e jetës së qytetarëve të Peshkopisë, me synimin që Peshkopia të shndërrohet në kultivuesin kryesor të frutave në Shqipëri. Mbrëmë Kryetari i PS-së Edi Rama publikoi editorialin më të fundin me titull "Aleanca e plehut dhe gjeli majë plehut", të postuar në blogun e tij personal. Zoti Rama deklaroi se kryeministri Sali Berisha është i vetmi kryeministër në Europë a kudoqoftë që guxon të quajë kundërshtarët "Aleancë e Plehut". Lidershipi socialist theksoi se kryeministri flet për kundërshtarët si të gjithë banditët në krye të vendeve pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa garanci kushtetuese për askënd, pikërisht sepse vjedh votat, komandon gjyqet dhe garancitë i shpërndan si shpërblime për të nënshtruarit e vet. Sipas kryesocialistit Rama, Kryetari i qeverisë ka kurajën të gënjejë derrçe, përditë, duke folur për mrekullira ekonomike ndërkohë që popullit të vet i ka vajtur thika në rrashtë. mit/NOA

KOMENTE