English

Decentralizimi, Berisha: Nga 27 taksa, do të mbajmë vetëm gjashtë

Peshkopi, 23 tetor 2011, NOA – Thellimi i decentralizimit dhe zhvillimi i qëndrueshëm rajonal ishin dy çështjet tek të cilat u fokusua kryeministri Berisha gjatë takimit me kryetarët e njësive vendore të bashkive e komunave të qarkut Dibër, i mbajtur në Pallatin e Kulturës në Peshkopi. Pasi dëgjoi problematikën e prezantuar nga përfaqësuesit vendorë, që kryesisht ceknin infrastrukturën, kryeministri i përfaqësuesit vendorë të qarkut të Dibrës për mbështetjen e plotë dhe pa dallim të qeverisë, për çdo projekt që lehtëson e përmirëson jetën e banorëve në qarkun e Dibrës. Duke folur për rëndësinë e decentralizimit, shefi i Qeverisë i njohu përfaqësuesit e pushtetit vendor me vendosmërinë e qeverisë për të ndërmarrë një hap të madh në drejtim të decentralizimit fiskal, përmes transferimit të taksave pushtetit vendor. “Kështu, nga 27 taksat kombëtare, qeveria do të mbajë vetëm 6 dhe të tjerat do t’ia transferojë pushtetit vendor, po ashtu 25 për qind të çdo rente, do t’i kalojë pushtetit vendor”, u shpreh kryeministri. “Ne, -vijoi zoti Berisha, - do të përpiqemi që të ardhurat kombëtare të ndahen shumë më mirë, sesa janë ndarë deri më sot. Por të gjitha këto kërkojnë që ju të merrni në dorë me përkushtimin më të madh udhëheqjen e zhvillimit të komuniteteve që ju drejtoni”. Për kryeministrin një çështje me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit është zhvillimi i qëndrueshëm, i cili sikundër e përcaktoi zoti Berisha është promotor i ndërtimit të së ardhmes për ata që do të vijnë më pas. “Ne i kemi të gjitha potencialet, si rrallë ndonjë vend tjetër, për të ndërmarrë këtë proces historik për vendin, për të bërë çdo hap në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm”, theksoi kryeministri. Ai u bëri thirrje drejtuesve vendorë të hartojnë programin dhe strategjinë e zhvillimit të komunës së tyre, ku të përparësojnë burimet e tyre më të mira. Kryeministri vlerësoi si potenciale në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, burimet ujore, turizmin, zhvillimin e projekteve të drurëve frutorë etj... Në këtë suazë, kryeministri vërejti se “Ne duhet të jemi shumë ambiciozë. Ne jemi në garë dhe nuk duhet të jetojmë asnjë minutë me kompleksin e të shkuarës. Ne ia dalim! Kjo duhet të jetë motoja jonë”, u shpreh Kryetari i Qeverisë. Zoti Berisha u ndal edhe në një çështje të mprehtë, pastrimin dhe mbrojtjen e mjedisit, për të cilat u kërkoi drejtuesve vendorë të ndërmarrin çdo lloj veprimi, për një territor të pastër. mit/NOA

KOMENTE