Grupet e ekspertëve nga Kosova dhe Serbia në takimin e ndërmjetësuar nga BE, kanë rënë dakord në Bruksel për datat e zbatimit të marrëveshjeve për lëvizjen e lirë dhe dokumentet kadastrale.
Sipas një komunikate për media të Qeverisë së Kosovës “lidhur me marrëveshjen për kthimin e dokumentacionit kadastral, ekspertët e të dyja vendeve kanë rënë dakord që më 20 nëntor 2011 ta aprovojnë planin për implementim, dhe po ashtu të fillojë me zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje”.
Me këtë marrëveshje, sqarohet në komunikatë, Serbia obligohet t’i kthejë dokumentet kadastrale të marra nga Kosova gjatë luftë, raporton radio RFE.
Ndërsa, Kosova, thuhet se merr obligime të kompletojë sistemin e vet kadastral si dhe në mënyrë të veçantë t’i zgjidhë çështjet kontestuese kadastrale konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe standardeve evropiane.
Ndërkaq, sipas njoftimit të qeverisë, në takimin për zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë janë përafruar qëndrimet mes palëve rreth planit të zbatimit.
“Qeveria e Kosovës në këtë takim konfirmoi se i ka përmbyllur gjitha përgatitjet e nevojshme për zbatimin e kësaj marrëveshje. Po ashtu u konfirmuan përgatitjet që me 1 nëntor në Kosovë të fillojë zbatimi i asaj pjese të marrëveshjes për heqjen nga përdorimi i tabelave ilegale të automjeteve dhe zëvendësimi me ato legale”, thuhet në komunikatë.
Gjatë këtij takimi thuhet se u diskutuan edhe modalitetet e zbatimit në praktikë, duke sqaruar se ditët në vijim paraqesin kohën e fillimit të zbatimit.
Kosova ka nisur dialogun për çështje teknike me Serbinë në muajin mars të këtij viti. Që nga ajo kohë nën ndërmjetësimin e BE-së janë arritur pesë marrëveshje, por zbatimi i tyre ka shënuar ngecje.