English

Integrimi Euroatlantik, konferencë ndërkombëtare në Tiranë

Tiranë, 23 tetor 2011, NOA - Delegacione nga të gjitha vendet e rajonit do të mblidhen në Tiranë në konferencën me temë “Karta e Adriatikut, Integrimi Euro-Atlantik dhe sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, që organizohet nga Kuvendit i Shqipërisë në datat 24-25 tetor 2011. Qëllimi i kësaj konference është mbështetja e axhendave të përbashkëta nga parlamentet kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas drejtimeve të konceptit strategjik të miratuar në Lisbonë. “Procesi i zgjerimit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor përbën një sukses historik dhe shënon një kapitull të ri në uljen e tensioneve, forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal drejt një të ardhmeje plotësisht të integruar në institucionet euroatlantike. Aderimi i Bosnje-Herzegovinës dhe Malit të Zi në Planin e Veprimit për Anëtarësim dhe Kartën e Adriatikut krijon mundësinë e forcimit të partneritetit për shpejtimin e reformave demokratike, politike, ekonomike të sigurisë e të mbrojtjes, kulturore dhe të mjedisit”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Të pranishëm në konferencë krahas delegacioneve nga parlamentet e Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, do të jenë edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, ambasadorë të akredituar në Tiranë, ministra, përfaqësues të institucioneve që lidhen me sigurinë, aktorë jo shtetërorë, si dhe profesor Donald Abenheim, ekspert në çështjet e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School në Monterei të Kalifornisë. Sesioni i hapjes që mbahet ditën e hënë, më 24 tetor ora 10:00 do të përshëndetet nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Alexandër Arvizu. Në ditën e dytë të punimeve, të martën më 25 tetor 2011, Konferenca do të miratojë një deklaratë të përbashkët, që do të bëhet publike në konferencën për shtyp që do të mbahet në orën 12:00. Konferenca do të zhvillojë punimet në mjediset e Tirana International Hotel, Salla Balsha. mit/NOA

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi21:33 - 23 Tetor 2011
    Teteqint konferenca te bejne ne Tirane nderkombetaret ne s'levizim nga transhete tona,e dine keta koken e shqipove o s'e dine?