English

Komisioni i Venecias dhe ODIHR të hënën në Tiranë

Tiranë, 23 tetor 2011, NOA – Rekomandimet për nisjen e reformës zgjedhore dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor shqiptar sjellin të hënën në Tiranë një delegacion të përbashkët të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, i kryesuar nga sekretari i Komisionit të Venecias, Thomas Markert. Në vizitën dyditore delegacioni i Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it do të shkëmbejë pikëpamjet mbi përmirësimet që lipsen t’i bëhen legjislacionit zgjedhor dhe praktikave zgjedhore në Shqipëri. Kjo bazohet mbi kërkesën që Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland i bëri Komisionit të Venecias pas zgjedhjeve vendore të 8 majit dhe betejës ligjore për Bashkinë e Tiranës, që të jepte opinionin e tij mbi Kodin Zgjedhor dhe gjithçka që duhej qartësuar lidhur me praktikën e numërimit të fletëve të hedhura në kutitë e tjera, etj, që u kontestuan nga opozita si të pavend në Kodin shqiptar. Delegacioni i Komisionit të Venecias do të takohet me Kryeministrin, Kryetaren e Parlamentit, Ministrin e Punëve të Jashtme, lidershipin socialist dhe përfaqësues të partive të tjera politike, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri, etj. Kjo vizitë vjen në një moment kur Shqipëria pasi ka humbur marrjen e rekomandimit për statusin e vendit kandidat në BE ende nuk ka nisur dialogun politik mes forcave kryesore politike për nisjen e reformës zgjedhore, një nga rekomandimet kyçe të Komisionit Europian. Përfaqësuesit pritet t’i bëjnë apel politikës shqiptare që të ndërhyjnë sa më parë në Kodin Zgjedhor në mënyrë që të zgjidhen të gjitha çështjet që hasën kontestim në zgjedhjet e fundit lokale. Në fund të vizitës së tyre delegacioni i KV-së dhe ODIHR-it do të zbardhë në një konferencë për shtyp gjithçka që do të diskutohet në takimet me autoritetet e vendit. Konferenca e delegacionit është lajmëruar se do të zhvillohet të martën më 25 tetor 2011, në orën 12:15, në ambjentet e Hotel Rogner. mit/NOA

KOMENTE