English

Mijëra libianë zbresin në rrugë, Jalil shpall çlirimin e Libisë

Tripoli, 23 tetor 2011, NOA – Para mijëra libianëve që kishin zbritur në sheshin kryesor të Bengazit, autoritetet më të larta të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit shpallën çlirimin e Libisë dhe libianëve. “Ngrijini sa më lartë kokat, e jini krenar. Jeni libianë të lirë nga loja e Gheddafit”, deklaroi zëvendëspresidenti i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit Abdul Hafiz Ghoga në ceremoninë e sotme të deklarimit të çlirimit të Libisë nga regjimi autokratik i kolonel Muammar Gheddafit, i ekzekutuar tri ditë më parë në një operacion të forcave kryengritëse dhe NATO-s në vendlindjen e tij Sirte. Tri ditë pas vrasjes së Gheddafit gjatë ceremonisë Presidenti i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit Demokratik të Libisë Mustafa Abdel Jalil, i bëri apel libianëve tashmë të lirë që të mendojnë për faljen dhe pajtimin kombëtar dhe të shmangin dhunën. Numri një i Këshillit Këshillit Tranzitor të Libisë, u gjunjëzua në lutje pak pas pjesëmarrjes në ceremoninë e shpalljes së çlirimit të Libisë, duke i premtuar popullit libian se ligji Islam do të forcohet. “Si një komb mysliman Sheriati është baza e legjislacionit tonë, kështu nga sot çdo ligj që bie ndesh me parimet e Islamit nuk do të ketë asnjë vlerë”, deklaroi Jalil. Ai falenderoi edhe Ligën Arabe, OKB-në dhe BE-në për ndihmën që i dhanë Libisë në zgjidhjen e konfliktit që çoi në vdekjen e kolonel Gheddafit. Ai u lut që të gjithë heronjtë, civilët e ushtarët që ranë martirë në këtë konflikt të prehen të qetë në parajsë. Presidenti i Këshillit Tranzitor libian e përmbylli fjalën e tij me një shprehje shumë kuptimplotë: “Revolucioni libian nisi paqësisht për t’u përmbyllur në mënyrë të dhunshme”. Ndërkohë çlirimin e Libisë e përgëzoi edhe Presidenti amerikan Barack Obama, i cili tha se kjo është një erë e re për Libinë. “Pas katër dekadash diktaturë dhe tetë muajsh luftë të përgjakshme populli libian mund të festojë lirinë dhe nisjen e një epoke të re”, u shpreh Obama në mesazhin e tij të dërguar gjatë festimeve në Bengazi. mit/NOA

KOMENTE