English

Një çështje editorialesh

Nga Skender Minxhozi Kësaj radhe Edi Rama mori një kritikë nga jashtë partisë së tij. Madje edhe jashtë kufijve shtetërorë.

Akademiku kosovar, Rexhep Qosja, e përshkruan në mënyrë acide opozitën e sotme. “Më duket sjellje pak a shumë kundërshtimore; sjellje pak a shumë dyfytyrëshe; sjellje pak a shumë e qulltë – sjellje e një politike të pasigurt, që nuk e ndryshon dhe nuk e çon përpara gjendjen. Është kjo sjellje tipike e jona: e vockël!”, shprehet ai, duke mos lënë shumë vend për të imagjinuar se cili është humori që ka krijuar brenda tij, opozitarizmi i muajve të fundit në Tiranë. Është e natyrshme që Qosja të mos kursejë në këtë tiradë kritikash, edhe kreun e PS-së, Edi Rama, duke nënvizuar se “Sali Berisha nuk largohet prej pushtetit me editoriale”. Para akademikut kosovar, këtë e kishin bërë edhe eksponentë të tjerë politikë në Tiranë, përfshirë aleatët më të ngushtë të Edi Ramës.

Dy proceset e fundit elektorale kanë qenë fotokopja e njëra-tjetrës, sa i përket sjelljes politike e njerëzore të Edi Ramës, në raport me opinionin publik dhe postin politik që mban. Rregullisht, edhe pas 28 qershorit, edhe pas 11 majit, kur rezultatet afishuan më së pari një humbje politike dhe në rastin e dytë një rezultat negativ personal, Rama është mbyllur në vetvete, i ka ikur podiumit dhe syve të njerëzisë, duke komunikuar “me pikatore” me ambientin e jashtëm. A ka qenë ky një kalkulim i kërkuar, për të zbrazur fushën e betejës, e për ta vënë kësisoj në vështirësi kundërshtarin e tij politik? E vështirë të thuhet. Më shumë ngjan si një impuls njerëzor i brendshëm i një njeriu që ndien se i kanë marrë me të padrejtë diçka, e që, si kundërpërgjigje, struket diku për t’i treguar në këtë mënyrë të gjithë botës sesa është mërzitur nga ajo që ka ndodhur.

Megjithatë, politika nuk është një poltron psikanalisti e as një studio psikologu. Ligji i saj i pamëshirshëm thotë se pas çdo humbjeje, duhet të ngrihesh edhe më i fortë se më parë, nëse do të fitosh në përplasjen pasardhëse. U bënë dy zgjedhje që kreu i opozitës zgjedh këtë ritual, për t’u rikthyer më pas në atë që ai e quan normalitet. Ashtu si në verën e vitit 2009, ai tërhiqet nga daljet publike dhe komunikon rrallë dhe pak me mediat e publikun. Me shumë gjasë, ai e konsideron këtë procedurë, edhe si një pastrim e rigjenerim imazhi postelektoral.

Porse axhenda politike nuk pret gjithmonë. Madje, shumë rrallë, ajo mund të lejojë pauza të tilla “sabatike”. Dhe pozita e Edi Ramës nuk ia lejon atij këtë luks të vogël. Shpotitë dhe kritikat po vijnë nga shumë anë. Jo vetëm nga kundërshtarët e njohur brenda partisë, të cilët nuk munguan t’ia llogarisin mandatin e vjedhur të Tiranës, si një tjetër hipotekë të rëndë në vargun e gjatë të atyre që ata i konsiderojnë si gjynahet e “mandatit Rama” në krye të PS. Problemi është se ka një frikë e një paqartësi jo të vogël, edhe mes atyre që nuk duan largimin e Ramës, në lidhje me vizionin e tij në situata konkrete të caktuara, si dhe me instinktin dhe nuhatjen e tij politike. Gjashtë vjet pasi ka marrë në dorë frenat e PS, alibia e tij prej politikani të ri është zbehur shumë. Ashtu siç ka ardhur duke u forcuar dyshimi se mos anija socialiste është e dënuar të lundrojë pa instrumente dhe me sy të lirë, sepse ky është edhe stili drejtues i kryetarit të saj.

Kur Qose thotë se nuk janë editorialet rruga për të bërë opozitë, kur Ngjela shprehet se opozita s’mund të bëhet në kasolle dhe kur jo pak miq e aleatë të Ramës thonë se kjo situatë duhet të ndryshojë, ka shumë mundësi që vërtet të ketë diçka që nuk shkon në këtë mënyrë drejtimi të partisë dhe të opozitës. Është e vërtetë se mënyra sesi u humb Tirana, krijoi ndoshta më shumë kosto politike për ata që e morën, sesa për ata që e lanë. Por është po kaq e vërtetë se historia as fillon dhe as mbaron te zyra ovale e Bashkisë së Tiranës. Ka për të qenë një periudhë kohore e mbarsur me ngjarje, ndërmjetësime, akuza, tension politik e kulisa, deri në verën e vitit 2013, kur të mësojmë se cili do të ketë fituar një herë e mirë mbi tjetrin. Berisha apo Rama. E deri atëherë do të zgjidhet një President Republike, një numër jo i vogël drejtuesish të tjerë institucionalë, do të kryhet reforma elektorale dhe do të duhet të miratohen duzina me ligje. Gjatë kësaj kohe, opozita duhet të bëjë opozitën, pa ia lënë qeverisë që t’i bëjë të dyja (siç ndodhi me statusin, kur Berisha u ankua se e bllokoi Rama).

Ky vend po përjeton sot kriza të vjetra e të reja, drama të mbarsura nga e shkuara ose të krijuara rishtazi, nga keqqeverisja dhe deformimi i shtetit. Një grevë e dhimbshme në Bulqizë, një seri skandalesh ministrore në Tiranë, një census hileqar që shton grekët e pakëson shqiptarët, një vjedhje ditën për diell e votave brenda sallës së Kuvendit – janë që të gjitha temat e problemet madhore, që thërrasin rolin dhe përgjegjësinë e opozitës. Hyrja në Kuvend dhe bllokimi i ligjeve me shumicë të kualifikuar, nuk është fundi i rrugëtimit, por fillimi i tij. Një lojë taktike, jo një aksion politik.

Një editorial ka vlerën e një mesazhi, por këtu më shumë sesa një mesazh, duhet një program. Një fjalë që Edi Rama e ka pasur alergji, si në fushatat elektorale (kur e pyesnin për programin qeverisës të PS pas zgjedhjeve), si në periudhat e tjera të ndërmjetme. Si për t’i dhënë terren asaj idesë së drejtimit të anijes pa busull, vetëm me sy të lirë. Nëse do të jetë sërish kështu, kanë të drejtë si profesor Qosja nga Prishtina, ashtu edhe të gjithë ata që në Tiranë e jashtë saj, presin të shohin opozitën. Jo editorialet e saj.

Gazeta "Shqip"

KOMENTE