English

Tërmeti i dhunshëm, dyshohet për afro njëmijë viktima në Turqi

Van, 23 tetor 2011, NOA / Irma Toptani – Nga tërmeti i dhunshëm me magnitudë 6.6 ballë të shkallës Rihter, i cili goditi provincën lindore Van në Turqi dyshohet të kenë gjetur vdekjen afro 1000 persona. Epiqendra e tërmetit të tmerrshëm ishte provinca e Vanit në lindje të Turqisë, që gjendet pranë kufirit me Iranin. Mediat lokale duke iu referuar Institutit turk të Gjeologjisë bënë me dije se brenda pak minutash u shembën përdhe shumë pallate dhe shtëpi në provincën e Vanit, e njohur si një zonë me potencial tërmetesh. Lajmin për afro 500-1000 viktima e konfirmoi Qendra Sizmologjike e Turqisë. Lëkundja e tërmetit me epiqendër fshatin Tabanli të krahinës së Vanit u regjistrua në orën 13.41 me orën lokale turke apo (12.41 me orën tonë). Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu forcat e emergjencës civile po rreken të gjejnë shumë persona, të cilët mendohen të mbetur nën rrënojat e një pallati shtatëkatësh në qendër të qytetit të Vanit. Ndërkohë mësohet se në spitalin rajonal ndodhen 50 të vdekur nga lëkundjet e forta të tërmetit. Më herët sipas agjencisë turke Cihan rezultuan 30 persona të vdekur në qytetin Ercis. Sipas “Gjysmëhënës së kuqe” në qytetin Ercis për shkak të tërmetit të fuqishëm janë shembur afro 25 ndërtesa, mes të cilave disa hotele dhe godina fjetjeje për studentët. Drejtori i Observatorit Sismologjik të Kandillit në Stamboll nënvizoi se nga tërmeti i fuqishëm që goditi Vanin janë shkatërruar afro 1000 ndërtesa. mit/NOA

KOMENTE