English

Alarmi i FMN-së: Kriza greke po infekton Shqipërinë

E hënë, 24 tetor 2011, NOA/Albana Qehajaj – Fondi Monetar Ndërkombëtar publikon raportin për ecurinë ekonomike dhe situatën bankare në Shqipëri. Në raport vërehet se, borxhi i pashlyer në banka nga 3% e totalit përpara krizës është gjashtëfishuar duke arritur në gati 18%. FMN nënvizon se shkaku kryesor i përkeqësimit të kredisë është dobësia e institucioneve dhe sistemit gjyqësor në vend që pengojnë ekzekutimin e garancive. Zgjidhja e kësaj çështjeje, sipas FMN-së duhet të bëhet prioriteti kyç afatshkurtër të Shqipërisë. Në raportin prej 50 faqesh konstatohet se Shqipëria ka lidhje të forta me Greqinë dhe Italinë, jo vetëm tregtare, por edhe në tregun e punës dhe sistemin bankar. Këto dy të fundit mund të rezultojnë në pasoja substanciale, ku rreziku më i madh është ai i infektimit të sistemit bankar. “Shkurtimet spontane kanë rritur rrezikun që qeveria të mos shlyejë detyrimet e saj financiare për bizneset që kryejnë punët publike. Borxhi i keq i qeverisë arriti në 0.7% e Prodhimit Kombëtar”, thuhet në raportin e publikuar këtë të hënë. FMN thotë se këto detyrime janë bërë një faktor rreziku për krijimin e një zinxhiri borxhesh të pashlyera në ekonomi. Nga ana tjetër, për shkak të mosrimbursimit, qeverisë i janë akumuluar detyrime të mëdha të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që duhet kthyer.

“Nëse administrata nuk rimburson TVSH-në, FMN thotë se imazhi i Shqipërisë në sytë e investitorëve të huaj, do të cënohet. Nëse qeveria do i shlyejë këto detyrime, buxheti do të goditet jo pak”, theksohet mes të tjerash në raportin e shoqëruar me grafikat përkatëse, mes të cilave edhe të hartës së Europës dhe përqindjes së borxhit bankar në secilin prej vendeve. a.q/NOA

KOMENTE