Tiranë, 24 tetor 2011, NOA – Kryetarët e Bashkisë së Koplikut dhe komunës së Postribës në Shkodër akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve për personat që janë në hasmëri në Malësinë e Madhe. Policia e Shtetit bën me dije se Kryetari i Komunës së Postribës në Shkodër 62-vjeçari Faz Tahir Shabaj dhe kryetari i Bashkisë së Koplikut 45-vjeçari Ramadan Rexhep Likaj akuzohen se kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara për persona të ndryshëm në hasmëri, me qëllim që ata të aplikonin dhe përfitonin në mënyrë të padrejtë azil në Belgjikë. Policia e Shtetit bën me dije se pas pajisjes me këto dokumente shtetas shqiptarë, duke përfituar nga lëvizja e lirë, pasi kanë shkuar në vendet e zonës Shengen kanë aplikuar për azil pranë organeve kompetente në këto vende. Në vijim bëhet me dije se kërkesat e shqiptarëve për azil ishin të shoqëruara me vërtetime nga komuna të ndryshme, kryesisht të qarkut Shkodër, ku vërtetohej se ata ishin në konflikte dhe në gjakmarrje. Pas verifikimeve të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Organet Policore Belge, ka rezultuar se praktikat e dorëzuara nga shtetasit shqiptarë për të përfituar azil ishin vërtetime të lëshuara nga Komunat ose Bashkia Koplik dhe vërtetime nga Shoqata Misionarët e Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë me qendër në Shkodër. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në shumicën e rasteve dokumentet e lëshuara nga dy të akuzuarit ishin të falsifikuara, pasi personat për të cilët ishin lëshuar këto vërtetime nuk figuronin të ishin në hasmëri apo gjakmarrje. Policia e Shtetit ka në administrim të gjithë dokumentet e Sekretarit të Shoqatës Misionarët e Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë me qendër në Shkodër, ndërkohë që uniformat blu po vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjithë personave të implikuar dhe dokumentimin e veprimtarisë së tyre. mit/NOA