Tiranë, 24 tetor 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha ripërsëriti ftesën e hapur ndaj opozitës për t’u ulur në tryezën e bashkëpunimit dhe për të nisur pa humbur kohë kryerjen e reformës zgjedhore. Duke iu referuar takimit më të fundit me Drejtorin e Zgjerimit në BE, Stefano Sanino, shefi i qeverisë gjatë mbledhjes së sotme të grupit kuvendor demokrat deklaroi se mazhoranca është e gatshme të ulet menjëherë për krijimin e Komisionit të reformës zgjedhore, për të cilën garantoi gatishmëri për të bashkëpunuar në kuadër të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it dhe ku opozita siç tha ai do të ketë të drejtën e paritetit. “Në kuadër të rekomandimeve ne jemi të vendosur të dëgjojmë zërin e opozitës për zgjidhjen më të plotë dhe më të mirë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR”, theksoi kryeministri. Ai veçoi sakaq se në rast se lidershipi socialist Edi Rama është i interesuar të hartojë të gjitha amendamentet për reformën zgjedhore është i lirë ta bëjë këtë hap dhe t’i dërgojë pranë Komisioni i Venecias. Këtu kryeministri nënvizoi se pasi Komisioni i Venecias t’i ketë vlerësuar atëherë mazhoranca do t’i mbështesë plotësisht amendamentet e opozitës. Ai inkurajoi opozitën dhe kreun e saj ta vlerësojë këtë propozim sikundër mazhoranca ka vlerësuar propozimet e opozitës. Kryeministri foli edhe për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit e kërkuar nga opozita, duke ftuar opozitën që të bashkëpunojnë në ngritjen e Komisionit parlamentar për rregulloren duke i hapur rrugën ndryshimeve të saj bazuar në rregulloren e Parlamentit Europian. “Le ta modelojnë nen për nen rregulloren e Kuvendit tonë sipas asaj të PE-së. Le të hapim shtegun e këtyre reformave që janë tejet të rëndësishme për vendin”, tha kryeministri, duke e ftuar Edi Ramën të pranojë ftesën për reformat dhe bashkë me to të shkruajë edhe librat. Kryeministri Berisha e ktheu bisedën në një tjetër prizëm duke thënë se përpjekjeve të mazhorancës për reformat Rama i përgjigjet me shkrimin e një libri që quhet “Kur hidheshin themelet e korrupsionit”. Sipas kryeministrit libri i Edi Ramës rezulton se është i tëri një vaj për humbjen e Bashkisë së Tiranës. “Libri hapet me epitafin “Mbetsh ore shok mbetsh te ura e Bashkisë mbetsh”, tha kryeministri duke theksuar se pas përfundimit të këtij libri Rama duhet të nisë vëllimin e ri, për të cilin duhet të bashkëpunojë me deputetin tjetër socialist, Ben Blushi. mit/NOA