English

Berisha: Të ngremë resorte turistike në majën e Korabit

Tiranë, 24 tetor 2011, NOA Update – Shndërrimi i potencialeve të mrekullueshme malore në vlera për banorët e zonës dhe gjithë shqiptarët ishte në qendër të fjalës së kryeministrit në mbledhjen e përjavshme të grupit kuvendor demokrat. Shefi i mazhorancës solli në vëmendje të deputetëve të tij udhëtimin e fundjavës në qarkun e Dibrës ku përuroi gjashtë investime publike në infrastrukturë. Duke i garantuar edhe njëherë banorët e zonës së Dibrës se qeveria do të bëjë gjithçka për realizuar ëndrrën e tyre që ka të bëjë me ndërtimin e rrugës së Arbrit, kryeministri vlerësoi se infrastruktura e Dibrës po pëson një ndryshim rrënjësor. “Nga çdo mendje e tyre buronte vetëm një thirrje: Rruga e Arbrit. Ajo rrugë e afron Bulqizën me Tiranën njëlloj si Shijaku. Sot për të shkuar në Bulqizë mua me eskortë më duhen dy orë, ndërsa të tjerëve tre. S’ka ëndërr më të drejtë e më legjitime. Imagjinoni sikur të niset një banor nga Kalaja e Dodës e të sosë në Tiranë për një orë e gjysmë”, u shpreh kryeministri. Duke folur për këtë udhëtim në Peshkopi, shefi i ekzekutivit informoi edhe njëherë se qeveria do të bëjë gjithçka për ta realizuar ëndrrën shekullore të dibranëve. “Tanimë mbetet ura dhe tuneli. Janë vetëm tre tunele që ndryshojnë këtë vend, ai i Kalimashit, i Elbasanit dhe i Qafës së Murrizit”, tha zoti Berisha. Për kryeministrin nga më mbresëlënëset në këtë udhëtim ishte rrugëtimi Peshkopi-Kukës, ku ai u ndal në Kalanë e Dodës. “Rrallëherë njeriu mund të shohë një pamje të tillë. Burrat e Kalasë së Dodës janë më punëtorët, por kjo zonë ka qenë më e izoluara për shkak të pozicionit gjeografik. Ata kishin gëzim të ligjshëm sepse nga rruga e re prej 63 km kishin mbetur pa u asfaltuar shumë pak kilometra”, tha zoti Berisha. Duke e çmuar këtë rrugë si të standardeve më të mira, kryeministri iu rikthye turizmit malor duke veçuar malin më të lartë të Korabit si potencialin më të pazakontë turistik dimëror në vend. “Korabi nuk është vetëm mali më i lartë i Shqipërisë, por ai masiv nga Shishtaveci në Korab përbën potencialin më të pazakontë turistik dimëror në vend. Shishtavecin, Përroin e Bardhë dhe të gjithë masivin e Korabit unë e krahasoj me Jonin, njëri potencial ujor dhe tjetri malor, ku mund të ngrihen resortet turistike më të bukura dhe pistat më të mrekullueshme të skive”, tha kryeministri. Në këtë suazë kryeministri Berisha nënvizoi se kusht për zhvillimin e këtij potenciali turistik mbetet ndërtimi i rrugës që të çon përdrejt Peshkopisë kësaj mrekullie të natyrës, një vend potencial edhe për kultivimin e frutave dhe arrave në vend. mit/NOA

KOMENTE