Ushtari i Shteteve të Bashkuara, Trevor Bruer, që e ka mbijetuar sulmin, nga i cili më 2 mars u vranë dy kolegë të tij, tha se ai e kishte shikuar vrasësin në fytyrë dhe kishte parë “urrejtje në sytë e tij”.
Ushtari Bruer, 23 vjeçar, ishte në autobusin e forcave amerikane në aeroportin e Frankfurtit, kur Arid Uka, shqiptar nga Kosova, filloi me të shtëna. Bruer mbeti i palënduar pasi revolja e Arid Ukës u bllokua.
“Në punën time, ne presim rreziqe”, tha ai dhe shtoi se “ne nuk e kemi pritur këtë në Evropë ose Amerikë”.
Arid Uka, 21 vjeçar, e ka pranuar vrasjen, në muajin gusht, kur pat filluar procesi kundër tij.
Por, sipas ligjeve gjermane, gjykata ende duhet t’i dëgjojë të gjitha dëshmitë.
Më 2 mars në aeroportin e Frankfurtit, Arid Uka i vrau ushtarët amerikanë, Nikolas Alden, 25 vjeçar, dhe Zakari Kudebak, 21 vjeçar, dhe plagosi ushtarët Kristofer Shneider dhe Edgar Veguilla.
Pos për vrasjet, ai akuzohet edhe për tentim vrasjeje. /rfe/