English

Markert: Ne rekomandojmë për të ardhmen, nuk çmojmë të shkuarën

Tiranë, 24 tetor 2011, NOA – Sekretari i Komisionit të Venecias Thomas Markert gjatë konferencës së përbashkët me kryediplomatin Edmond Haxhinasto konfirmoi se delegacioni i përbashkët Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it kanë mbërritur në Tiranë për të dhënë një opinion lidhur me përmirësimet që duhet t’i bëhen legjislacionit elektoral në Shqipëri. Detyra jonë tha Markert është që të bëjmë rekomandimet për të ardhmen dhe jo vlerësime për të kaluarën. Duke iu referuar faktit se opinioni i Venecias ka karakter formal, Markert tha se ai do të adoptohet në takimin e ardhshëm të këtij Komisioni më 16-17 dhjetor, ku sikundër lajmëroi do të ftohen për të marrë pjesë në këtë sesion edhe përfaqësues të Shqipërisë. “Është e rëndësishme për të pasur këtë dialog tani para adoptimit të këtij opinioni dhe pastaj për të vazhduar më tej”, theksoi Markert. Gjatë konferencës për shtyp, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto siguroi kryesuesin e delegacionit Markert se autoritetet shqiptare kanë qenë të hapura ndaj kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm të KiE-së, Thorbjørn Jagland, për një opinion të Komisionit të Venecias. Sipas Haxhinastos Qeveria e Shqipërisë konsideron si parësore kryerjen e një reforme zgjedhore, e cila duhet të reflektojë cilësi në proces dhe në substancë. Ai theksoi se procesi duhet të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe brenda afateve të duhura kohore si dhe të adresojë në substancën e tij rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Kryediplomati Haxhinasto informoi mediat se qëllimi i vizitës ishte hartimi i një opinioni të përbashkët të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, lidhur me përmirësimet që mund t’i bëhen legjislacionit elektoral dhe praktikave zgjedhore në Shqipëri, bazuar kjo në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Sipas tij, qëllimi i përgatitjes së opinionit nuk do të jetë vlerësimi i praktikave të kaluara, por orientimi drejt arritjes së standardeve më të mira në të ardhmen. Ministri Haxhinasto e falnderoi Komisionin e Venecias dhe ODIHR-in për asistencën e vazhdueshme që i kanë ofruar vendit tonë që në fillimet e para të tranzicionit demokratik, për kushtetutën, ligje të rëndësishme dhe përsa i përket opinioneve dhe rekomandimeve për çështjet zgjedhore.

Z. Haxhinasto: Kemi përfunduar një takim me një ekip të përbashkët të Komisionit të Venecias “Demokracia nëpërmjet Ligjit” dhe “ODHIR”-it. I kam falenderuar për bashkëpunimin e ngushtë dhe shumë frytdhënës që ka pasur Shqipëria me të dy këto institucione në të kaluarën, bashkëpunim i cili ka sjellë standarte shumë të larta institucionale në vendin tonë, standarte të larta legjislative, të cilat e kanë sjellë Shqipërinë në këtë fazë të avancuar të integrimit të saj në BE. Në mënyrë specifike kemi folur për të ardhmen, për bashkëpunimin përsa i takon zbatimit të rekomandimeve, raporteve të ODHIR-it për zgjedhjet. Këto rekomandime do të jenë pika jonë e referencës për reformën zgjedhore në të ardhmen, të cilën e kemi konceptuar si një proces të hapur, një proces që bëhet në kohën e duhur, një proces i cili adreson pikërisht këto argumentime. Kemi gjetur mirëkuptimin e plotë, mbështetjen e plotë nga përfaqësuesit e Komisionit të Venecias dhe të ODHIR-it dhe ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim që Shqipëria të jetë modeli i standarteve më të larta për organizimin e zgjedhjeve.

Z. Thomas Markert: Unë konfirmoj plotësisht atë që tha ministri. Komisioni i Venecias është këtu, pasi kemi marrë një detyrë nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës për të parë se çfarë përmirësimesh mund të bëhen në të ardhmen, në lidhje me reformën zgjedhore, në mënyrë që të shmangim krizën politike në të ardhmen. Detyra jonë është që të bëjmë rekomandimet për të ardhmen dhe jo vlerësime për të kaluarën. Ne kemi shumë takime sot me përfaqësues të institucioneve të larta dhe partive politike gjithashtu. Nuk dëshiroj të jap sot detaje të mëtejshme për këto takime, por nesër pas tyre do të shprehemi. Por, dëshiroj të them që këtu jemi së bashku me përfaqësues të OSBE-ODHIR-it dhe rekomandimet nga këto organizata do të analizohen në opinionin e përbashkët që do jepet. Opinioni formal i Komisionit të Venecias, do të adoptohet në takimin e ardhshëm të këtij Komisioni më 16-17 dhjetor. Do të ftojmë përfaqësues të Shqipërisë në këtë sesion. Është e rëndësishme për të pasur këtë dialog tani para adoptimit të këtij opinioni dhe pastaj për të vazhduar më tej.

Pyetje: A do të shprehet Komisioni i Venecias për pyetjet e dërguara nga Partia Socialiste nëpërmjet sekretarit të Këshillit të Europës?

Z. Markert: Do të kemi takime me përfaqësues të PS, ku ata mund të na thonë çfarë kanë dëshirë të na tregojnë. Nuk e di në mënyrë të saktë se cilat janë këto pyetje. Për më shumë, do kem mundësi të flas pas takimit me partitë politike. mit/NOA

KOMENTE