English

Marrëdhëniet Turqi-Rusi dhe mbrojtja raketore

Imazhi i ri i pavarur i Ankarasë në Moskë mund të kërcënohet nga vendimi për vendosjen e sistemit antiraketor Synimi prej Partisë për Drejtësi e Zhvillim (AKP) i një politike të jashtme më të fuqishme dhe të pavarur ka ndihmuar ndryshimin e perceptimit të Ankarasë në Moskë gjatë dhjetë vjetëve të fundit nga qënia në hap me NATO-n në një aktor më të pavarur të politikës së jashtme. "Ka patur disa piketa të shquara që prekën marrëdhëniet turko-ruse dhe hapën udhë për bashkëpunim të mëtejshëm," i thotë SETimes Habibe Ozdal, një kërkuese në Organizatën Ndërkombëtare të Kërkimit Strategjik, specializuar për studimet mbi Rusinë dhe detin e Zi. Një nga piketat më të rëndësishme ishte refuzimi i parlamentit turk për të lejuar Shtetet e Bashkuara të pushtojë Irakun e veriut nga territori turk në 2003. Pas këtij vendimi, "Ankaraja nisi të vlerësohet si një aktor i pavarur në rajon. Nga kjo pikëpamje, Moska nis ta vlerësojë Ankaranë si një aktor të rëndësishëm që mund të qëndrojë për interesat e veta kombëtare edhe kundër një aleati për një kohë të gjatë," sipas Ozdal. Në nivelin lokal, rritja e tregtisë dypalëshe dhe turizmit ka kontribuar në ngrohjen e marrëdhënieve. Megjithatë, marrëdhëniet e afërta me Moskën janë ende të reja dhe të dy palët po punojnë për të ndërtuar besim në radhët e epërme të qeverisë. "Ajo (Turqia) ka qenë një anëtare e NATO-s që nga 1952, që bashkë me procesin e integrimit në BE, ka ndërtuar një farë niveli besimi [me Perëndimin]...midis sferave të politikës turke, agjensive shtetërore, sigurisë, ushtrisë dhe elitave të biznesit," i tha SETimes themeluesi i Forumit Gjeopolitik Evropian, Marat Terterov. "Ata nuk e kanë ekuivalentin e këtyre në marrëdhëniet turko-ruse. Ata janë në procesin e ndërtimit të tij". Një pikë potenciale mosmarrëveshjeje është kundërshtimi i prerë i Rusisë ndaj vendimit të NATO-s për të vendosur një sistem anti-balistik raketash që përfshin një radar të vendosur përpara në territorin turk. "Ndërsa shumica e rusëve përgjithësisht pranojnë shqetësimet lidhur me vendet me aftësi raketore, të tilla si Irani, ata nuk shohin se kjo aftësi do të dalë në të ardhmen e afërt," i tha SETimes, punonjësi i lartë shkencor i Qendrës së Vienës për Çarmatimin dhe Mos-përhapjen, Nikolai Sokov. "Sipas vlerësimeve ruse, Irani është ende shumë larg nga aftësia e raketave me rreze të gjatë veprimi. Prandaj ata dyshojnë se arsyeja e vërtetë për mbrojtjen raketore nuk është ajo që është deklaruar publikisht". Marrëveshja e përfunduar së fundmi për nisjen e qasjes së Fazës së Re Përshtatëse me Turqinë, Rumaninë, Poloninë dhe Spanjën, është pritur me kritikë të ashpër në Moskë. "Nuk është puna për radarin në vetvete: kjo qartazi nuk ka aftësi ballëpërballë Rusisë. Është parë më shumë si provë e mëtejshme se NATO-ja procedoi me zbatimin e planeve të mbrojtjes raketore pa u bashkërenduar me Moskën," tha Sokov. "Njerëzit po argumentojnë se mbrojtja raketore do të prishte potencialin strategjik rus," i thotë SETimes Pavel Podvig, drejtor dhe kërkues kryesor i Projektit të Forcave Bërthamore Ruse. "Nuk ka në asnjë mënyrë që sistemi mund të jetë një kërcënim për cilindo,"sipas Podvig, por "ushtria dhe agjencitë e mbrojtjes në vendet anëtare të NATO-s po përdorin atë si një pretekst për qeverinë e re dhe për më shumë para". NOA

KOMENTE