English

OKB dhe Shqipëria program bashkëpunimi për katër vite

Tiranë, 24 tetor 2011, NOA – Shqipëria dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara nënshkruan sot në Tiranë një program të ri bashkëpunimi për katër vitet që vijnë. Shefi i qeverisë Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e nënshkrimit tha se programi i bashkëpunimit synon të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë për katër vitet e ardhshëm. Këtu kryeministri rikujtoi se premtimi Shqipëria vend i zhvilluar është qëllimi më madhor i qeverisë shqiptare dhe ëndrra më e bukur e çdo shqiptari. Ai deklaroi se 66-vjetori i OKB-së është një histori suksesi, edhe për faktin se me këtë program do të vihet në jetë kjo ëndërr. Ai i shprehu mirënjohjen OKB-së për ndihmën e çmuar të dhënë përmes financimeve të disa projekteve të rëndësishëm. Kryeministri vlerësoi se “Ne do të bëjmë përpjekje për një mjedis të shëndetshëm dhe të pastër”, tha kryeministri duke premtuar se ujërat shqiptare do të jenë më të pastrat në rajon. Zoti Berisha tha se OKB është promotor i zhvillimit, duke nënvizuar se Shqipëria do të shndërrohet në një superfuqi rajonale të energjisë së rinovueshme. Ndërkohë përfaqësuesja e OKB-së Zineb Touimi-Benjelloun e vlerësoi nënshkrimin e këtij programi bashkëpunimi si tejet të rëndësishëm. “Jam shumë e lumtur që po hedhim sot këtë hap të rëndësishëm bashkëpunimi. Është një plan i përbashkët veprimi për katër vitet në vijim. Programi është ndërmjet 20 agjencive të OKB-së dhe përfaqëson një plan të vetëm”, u shpreh zonja Touimi-Benjelloun. Përfaqësuesja e OKB-së vlerësoi se OKB do të punojë për një partneritet edhe më të ngushtë me Shqipërinë. Ajo bëri me dije se programi i bashkëpunimit mes OKB-së dhe Shqipërisë për katër vitet e ardhshëm do të ngërthejë konsultime të gjera në 12 muajt në vijim. “Ky program përfaqëson një gur të rëndësishëm themeli në vijimin e reformave në Shqipëri”, tha përfaqësuesja e OKB-së. Programi i bashkëpunimit u nënshkrua në fund të takimit nga Përfaqësuesja e OKB-së në Tiranë Zineb Touimi-Benjelloun, ndërsa në emër të qeverisë firmosi ministri i Inovacionit Genc Pollo. mit/NOA

Në Foto: Zineb Touimi-Benjelloun përfaqësuesja e OKB-së dhe ministri i Inovacionit, Genc Pollo

KOMENTE