Tiranë, 24 tetor 2011, NOA – Nisja pa humbur kohë e punës për kryerjen e reformës zgjedhore ishte në qendër të takimit të Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli me delegacionin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe ODIHR, që po zhvillon një vizitë dyditore në Tiranë nën kryesimin e Sekretarit të Komisionit të Venecias, Thomas Markert. Kryetarja e Kuvendit informoi delegacionin se ajo i ka bërë ftesë opozitës për nisjen sa më shpejt të reformës zgjedhore, madje duke e garantuar opozitën se çdo amendament i saj për këtë reformë do të mbështetet dhe votohet nga mazhoranca. Kryetarja e Kuvendit gjatë takimit theksoi se “Puna për reformën zgjedhore duhet të nisë sa më parë. Që në fillim të këtij sesioni parlamentar, ftesa ime si Kryetare e Kuvendit ka qenë e hapur për të nisur nga puna pa humbur kohë. 53 rekomandimet e ODIHR-it janë reforma zgjedhore. Mazhoranca është shprehur e gatshme, jo vetëm të nisë nga puna në një komision të përbashkët parlamentar, por edhe të japë votën e saj për propozimet e opozitës, të bazuara në rekomandimet e ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, pas verifikimit nga këto të fundit”, ritheksoi Topalli. Kryeparlamentarja nënvizoi se reforma zgjedhore është gjithnjë në kalendarin e punës së Kuvendit. Ajo inkurajoi opozitën që t’i përgjigjet sa më parë ofertës për të ngritur Komisionin ad-hoc për reformën zgjedhore. Kryetarja e Kuvendit falenderoi Komisionin e Venecias dhe ODIHR-in për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë gjatë viteve të fundit, në hartimin e ligjeve të rëndësishme, të Kushtetutës, të çështjes së imuniteteve dhe veçanërisht sa i përket reformës zgjedhore. Sekretari i Komisionit të Venecias, Thomas Markert ndau të njëjtin mendim duke thënë se “Reforma zgjedhore është një proces parlamentar që duhet të bëhet përmes një komisioni parlamentar. Puna për këtë reformë duhet të nisë sa më parë”. mit/NOA