English

Bode: Nuk jemi prekur nga kriza

Tiranë, 25 tetor 2011, NOA - Ministri i Financave, Ridvan Bode tha sot se, qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat në mënyrë që ekonomia shqiptare të mos ndiejë efektet e krizës së vendeve të rajonit. Lidhur me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për një rritje ekonomike për vitin 2011 më të vogël se sa parashikon qeveria, Bode tha se, qeveria i qëndron parashikimit për një rritje ekonomike prej 4 % për vitin 2011. "Gjatë vitit 2011 ne i qëndrojmë parashikimit tonë për një rritje ekonomike prej 4 %. FMN parashikoi një rritje ekonomike për Shqipërinë gjatë vitit 2010 prej 1 %, por rezultoi se ekonomia shqiptare u rrit me 3.5 % gjatë këtij viti. Janë marrë masa që borxhi publik të mos kalojë parashikimet e qeverisë shqiptare ", tha ministri Bode. Në raportin e publikuar dje FMN i rekomandonte qeverisë shqiptare të mos kalonte kufirin prej 60 % të borxhit publik, pasi ky nivel konsiderohet si rrezik për stabilitetin e ekonomive. FMN paralajmëronte se ekonomia shqiptare mund të ndiente efektet e krizës në vendet e rajonit. Sa i takon buxhetit të shtetit për vitin 2012, Bode tha se, drafti është drejt përfundimit dhe se ai parashikon ruajtjen e prioriteteve të qeverisë. Bode foli për raportin e FMN-së pas ceremonisë për shpërndarjen e certifikatave të titullit profesional "Ekspert Kontabël i Regjistruar" dhe "Kontabilist i Miratuar". Gjatë kësaj ceremonie, ministri Bode tha se licencimi i ekspertëve të kontabilitetit është një nga reformat më cilësore të ndërmarra nga qeveria shqiptare. a.q/NOA

KOMENTE