Senigallia, 25 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Dy shqiptarë, një burrë dhe një grua u arrestuan nga policia italiane të akuzuar se kanë vrarë Luigi Taurinon, një tregtar puljez 35 vjeçar i gjetur i masakruar me thikë të enjten e kaluar në Passo Ripe të Senigallia, afër banesës së tij. Taurino ishte me origjinë nga Foggia, por prej vitesh jetonte në Passo Ripe, me gruan dhe djalin e tij. Gjatë kësaj kohe ai kishte hapur dhe mbyllur disa aktivitete, pasi kishte drejtuar një dyqan mishi në një qendër tregtare, ai kishte hapur një tjetër afër Marzocca. Ndërkaq i vëllai i viktimës është i pandehur në Ankona për një proces lidhur me shfrytëzim prostitucioni së bashku me një punonjës policie, ndërsa vetë Taurino kishte disa precedentë të vegjël penal. Mbrëmjen e 20 tetorit vrasësit i kanë ngritur një pritë të vërtetë, pasi burri u sulmua në një vend tjetër nga ai ku u gjet i pajetë, shumë pranë banesës së tij. Kufoma kishte një prerje të thellë në fyt ndërsa disa prerje të tjera në fytyrë. Ndaj shqiptarëve kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave që i çuan në kryerjen e këtij akti, ndërsa janë hedhur dyshime lidhur me veprimtarinë e tij dhe të vëllait të pandehur. a.y/NOA