English

Dy fytyrat e Beogradit

Analistët e çështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se politika e Beogradit zyrtar po vazhdon të jetë dyfytyrëshe, duke u përpjekur të mos i prishë raportet me Brukselin dhe, në anën tjetër, ta mbajë nën tension situatën në veri të Kosovës...

Bekim Bislimi

Sipas tyre, këtë e dëshmojnë edhe deklaratat e fundit të kryetarit serb, Boris Tadiq, i cili ka kërkuar nga përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës që të lejojnë lëvizjen e lirë të KFOR-it dhe EULEX-it, nëse ky i fundit nuk i bart doganierët kosovarë në vendkalimet kufitare.

Analisti Ismail Hasani thotë se veprimet e KFOR-it e kanë demaskuar politikën e Beogradit.

Ismail Hasani ​​“KFOR-i, me stepjen e vet, është duke prodhuar efekte shumë pozitive, për sa i takon daljes në sipërfaqe të politikës zyrtare të Beogradit, e cila realisht është duke u përpjekur që, në të njëjtën kohë, të luajë me dy karta - me Brukselin dhe me të ashtuquajturit përfaqësues ilegalë të serbëve që operojnë sot barrikadat e rrugëve”, thotë Hasani.

Deklaratat e përfaqësuesve serbë të veriut të Kosovës, pas takimit me kryetarin e Serbisë, nuk kanë qenë në favor të asaj që do të nënkuptonte se është arritur ndonjë pajtim në mes tyre dhe Tadiqit, lidhur me kërkesën e këtij të fundit për lirinë e lëvizjes së KFOR-it dhe të EULEX-it në veri të Kosovës.

Analisti Shenoll Muharremi thotë se Serbia po përpiqet të manovrojë dhe të krijojë pozicion më fleksibil karshi Brukselit.

“Serbët e veriut e kanë kuptuar se kur vjen momenti i interesit të vetë Serbisë, ata mund të mos jenë aq të përkrahur. Andaj, është një situatë tepër komplekse dhe e ndjeshme. Edhe pse Serbia po mundohet të prezantojë një ndryshim të qasjes së saj, unë mendoj se ajo nuk po e adreson problemin në esencë”, thotë Muharremi.

Të dy këta analistë vlerësojnë se deklaratat e fundit të kryetarit serb, Tadiq, se ka arritur një pajtueshmëri me serbët e veriut të Kosovës që t’i inkorporojë ata në grupet e ekspertëve të Serbisë në dialogun me Kosovën, janë tentime që në mënyrë të tërthortë t’i faktorizojë serbët e veriut dhe vetë veriun, duke e pretenduar si pjesë të veten përballë Kosovës.

Por, sipas analistit Hasani, këto përpjekje të Serbisë do të jenë të kota.

“Politika zyrtare e Beogradit e ka të kotë tani të bëjë përpjekje që të faktorizojë diçka, që është shpërfaqje e sindromës, e cila në situata të ndryshme ka shenja të agresivitetit - edhe atëherë kur shihet se gjithçka ka përfunduar”.

“Nuk mund të konsiderohen ata pjesë e grupit negociator, në trajtën me të cilën ata pengojnë rrugët, bllokojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Ata njerëz, që atje operojnë, janë rrezik potencial për qetësinë dhe për lëvizjet normale”, thotë Hasani.

Shenoll Muharremi ​​Ndërkaq, sipas Muharremit, Serbia po përpiqet ta manipulojë situatën në dobi të saj.

“Është shumë e qartë se veriu është pjesë e Kosovës dhe serbët e veriut janë qytetarë të Kosovës. Ata nuk mund të përfaqësohen nga Beogradi apo nuk mund të jenë pjesë e delegacionit të Beogradit. Mendoj se kjo nuk është e pranueshme për Prishtinën”.

“Prishtina është dashur të bisedojë drejtpërdrejt me serbët e veriut, në suaza normale, në vend se të bisedojë me Beogradin për këtë. Andaj, unë nuk besoj se kjo ‘do të pijë ujë’ dhe nuk besoj se Bashkimi Evropian dhe autoritetet në Prishtinë do ta pranojnë një pozicion të tillë”, thotë Muharremi.

Analistët vlerësojnë se autoritetet serbe, me veprimet e veta karshi Kosovës, janë duke e rrezikuar agjendën evropiane. Sipas tyre, kjo e bën situatën të pasigurt për Serbinë, lidhur me marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

KOMENTE