Mitrovicë, 25 tetor 2011, NOA – Serbët lokalë kanë hequr të gjitha barrikadat që të çojnë për në pikën kufitare 31 në Bërnjakë, por se nuk denjojnë të heqin ato që bllokojnë rrugën përdrejt Jarinjës. Ishte vetë zëdhënësi i KFOR-it, Frank Martin i cila tha për KTV-në se rruga për në këtë vendkalim kufitar është e lirë dhe qarkullimi mund të bëhet normalisht. “Kjo ka ndodhur pas konsultimeve që ka pasur Komanda e KFOR-it me serbët lokalë”, bëri me dije Martin. Ndërkohë, ai nënvzioi se barrikadat nuk janë hequr në rrugën që të çon për në pikën kufitare 1 në Jarinjë. Mësohet se serbët lokalë u kanë kërkuar ushtarëve të KFOR-it të shkojnë në shtëpi. Në orët e mbrëmjes së të hënës disa ekstremistë serbë janë tubuar pranë barrikadës në fshatin Jegenicë të komunës së Zubin Potokut, dhe kanë hedhur fletushka në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, përmes të cilave porosisin ushtarët që t’i braktisin armët dhe të shkojnë në shtëpitë e tyre. “Serbët janë këtu në tokën e tyre, duke ruajtur familjet dhe nuk janë duke kërcënuar askënd. Dëshmoni se jeni paqësorë e jo fashistë”, shkruajnë fletushkat të cilat ranë në dorë të Kosovapress. mit/NOA