English

KFOR: Nuk pranojmë kushte për lirinë e lëvizjes

Prishtinë, 25 tetor 2011, NOA – Forcat paqeruajtëse të KFOR-it deklaruan sot se nuk pranojnë asnjë kusht për lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Serbisë. “Liria e lëvizjes duhet të arrihet për të gjitha palët organizatat ndërkombëtare, popullin e Kosovës. Liria e lëvizjes vetëm për KFOR-in, për shembull për të furnizuar ose për diçka të tillë, por jo për EULEX-in, nuk është e pranueshme”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki. Sipas tij, komandanti i KFOR-it u ka thënë shumë qartë kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, të shtunën e kaluar, se liria e lëvizjes duhet të arrihet pa asnjë kusht për secilin, e në çdo kohë. “Kjo është shumë e qartë. Gjithçka që është ndryshe nga kjo është e papranueshme”, tha Novicki. Kjo deklaratë vjen pak çaste para se përfaqësuesit e serbëve të komunave veriore të mbajnë një konferencë për gazetarët në lidhje me heqjen e barrikadave. Serbët lokalë të veriut edhe pas disa takimeve me KFOR-in, e me presidentin serb, Boris Tadiç, nuk kanë pranuar të heqin barrikadat dhe kanë ofruar liri të lëvizjes vetëm për KFOR-in, por jo edhe për EULEX-in. Novicki bëri të ditur se rruga për në pikën kufitare 31, në Bërnjak, është e kalueshme për trafikun, ndërkohë që këmbësorët mund të hyjnë dhe dalin nga Kosova për në Serbi. “Situata prej natës së mbrëmshme është e pandryshuar. Ne i kemi larguar bllokadat nga rruga, në portën 31, në pikëkalimin kufitar me Serbinë dhe bllokadat rrugore vetëm 600 metra në lindje të portës 31 janë larguar nga vetë popullata. Situata është kështu në portën 31, trafiku është i mundur në të dyja anët për në Serbi dhe nga SerbiaKosovë. Kemi nën kontroll portën 31”, nënvizoi Uve Novicki. E tillë e pandryshuar mbetet situata edhe në portën kufitare 1 në Jarinë. Për këtë Novicki u shpreh se kishte mësuar se popullata është e gatshme t’i largojë vetë disa prej barrikadave në fshatin Zupç. “Në Zupç ka ende barrikada, edhe pse kam dëgjuar se disa drunj janë larguar nga popullata, por kjo ende nuk është konfirmuar”, tha Novicki. Botasot/NOA

KOMENTE