Njëzet vjet më parë, menjëherë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, përparimi i Rusisë drejt lirisë dhe demokracisë dukej i qëndrueshëm...
Nga Guy Verhofstadt and Mikhail Kasyanov
...Si anëtare e Këshillit të Evropës dhe e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Rusia u angazhua në mbështetjen e parimeve demokratike dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të popullit të saj.
Kushtetuta e Rusisë, e miratuar në vitin 1993, e definon Rusinë si një shtet federal demokratik, të përkushtuar për sundimin e ligjit. Por sot, asnjëra nga këto nuk duket të jetë e vërtetë.
Parimet themelore të sundimit të ligjit sfidohen çdo ditë, ndërsa vendimet e gjykatave u nënshtrohen interesave të autoriteteve. Kundërshtarët janë të heshtur dhe nuk kanë asnjë mbështetje ligjore kundër shtypjes së tillë.
Rëndësia e zgjedhjeve për Dhomën e Ulët të Parlamentit është minuar me refuzimin e regjistrimit zyrtar të partive opozitare, që përfaqësojnë pjesë të ndryshme të spektrit politik.
Kredibiliteti i zgjedhjeve është zbehur edhe më shumë me bërjen publik të lajmit se presidenti Dimitri Medvedev dhe kryeministri Valdimir Putin do t’i shkëmbejnë postet pas zgjedhjeve presidenciale të 2012-ës.
Kjo paraqet një sfidë të madhe. Rusia është një lojtare e rëndësishme në çështjet e sigurisë globale, në biznes dhe marrëdhënie ekonomike. Ka ardhur koha të pranohet hapur se Rusia nuk është një demokraci, por një shtet gjithnjë e më i brishtë, i udhëhequr nga një regjim autoritar, që ka për qëllim të shtypë jo vetëm qytetarët e tij, por edhe pjesën tjetër të botës.
Është koha që Perëndimi të mbajë një debat të gjerë dhe publik në lidhje me atë se si mund të mbështetet demokracia dhe sundimi i ligjit brenda Rusisë dhe si pjesa tjetër e botës mund të komunikojë me Rusinë, udhëheqësit dhe shoqërinë e saj, përfshirë opozitën dhe organizatat e pavarura të shoqërisë civile.
Akti Final i Helsinkit më 1975 nisi një proces që zbuti tensionet e Luftës së Ftohtë në Evropë dhe siguroi një bazë për lëvizjet e të drejtave civile në bllokun komunist.
Ky dokument historik ka shërbyer si një manifest i zëshëm kundër regjimeve anti-demokratike në Evropë. Një proces i ri i Helsinkit duhet të nisë përsëri, me hapjen e diskutimeve për demokracinë ruse - sërish në Helsinki, më 9 dhe 10 nëntor.
Hapat e parë duhet të përfshijnë refuzimin për të pranuar zgjedhjet e ardhshme ruse si legjitime. Rusia po ashtu nuk duhet të marrë trajtim të respektueshëm në Këshillin e Evropës apo në OSBE, ndërsa delegacionit parlamentar rus nuk duhet t’i sigurohet mirëseardhje e ngrohtë në Strasburg.
Bashkëpunimi me liderët rusë duhet të kushtëzohet me pajtueshmërinë e tyre me konventat ndërkombëtare, pjesë e të cilave është edhe Moska. Zyrtarët rusë, të përfshirë në korrupsion dhe represion, duhet të përballen me sanksione të vërteta. Është koha që miqtë e vërtetë të Rusisë të flasin. * “International Herald Tribune”