Tiranë, 25 tetor 2011, NOA - Delegacioni i përbashkët i Komisionit të Venecias dhe OSBE-ODIHR pas përfundimit të takimeve me aktorët kryesorë të politikës shqiptare kanë bërë thirrje për fillimin sa më parë të reformës zgjedhore. Gjatë një konference të shkurtër për shtyp, sekretari i Komisionit të Venecias Thomas Market konfirmoi gatishmërinë për të kontribuar nëpërmjet rekomandimeve. “Jemi këtu për të kontribuar në reformën zgjedhore në Shqipëri. Tani duhet parë vetëm përpara. Në datat 16 – 17 dhjetor do të japim opinionin tonë , por disa përfundime janë gati tani. Së pari: të nisë puna dhe ngritja e një Komisioni Parlamentar për reformën zgjedhore. Jemi optimistë që gjithçka do të funksionojë. Nënvizoj se, puna duhet të nisë shpejt sepse keni një numër të madh rekomandimesh. Kuvendi tani duhet të fillojë të punojë mbi opinionion. Së dyti: Ne jemi gati të punojmë me komisionin Parlamentar. Por, ne nuk punojmë me partitë politike. Jemi të gatshëm të ofrojmë këshilla dhe ekpertirzën e duhur”, tha përfaqesuesi i lartë i Komisionit të Venecias. Ndërsa përfaqësuesi i OSBE/ODIHR tha se vizita e përbashkët tregon gatishmërinë për të ndihmuar Komsionin Parlamentar në zbatimin e reformave. a.q/NOA