English

Kraja: Grumbullimi i Kombëtares së shtangës, në kushte optimale‏

Sekretari i Përgjithshëm i FSHP-së hedh poshtë spekulimet e individëve të caktuar. Drejtorja e ASHS, Klodiana Shala: Mediat të mirëpritura t’i vizitojnë mjediset Tiranë, 25 Tetor 2011 NOA/Altin Kodra - Spekulimet e ditëve të fundit nga një peshëngritës mbi përzgjedhjen e ekipit kombëtar për në Kampionatin Botëror të të Rriturve dhe mbi kushtet e zhvillimit të grumbullimit të këtij ekipi në Kompleksin Olimpik Kombëtar (Ish-Kompleksin Sportiv “Dinamo”, kanë detyruar Federatën Shqiptare të Peshëngritjes dhe Agjencinë për Shërbimin e Sportit të dalin sot në një konferencë për shtyp, duke sqaruar të vërtetën. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Ilir Kraja, ka zbardhur vendimin e këtij organizmi mbi këtë çështje. “Federata Shqiptare e Peshëngritjes, lidhur me disa prononcime te ditëve te fundit për vendimin e Komitetit Drejtues te marre me daten 1 tetor 2011, sqaron se per perberjen e delegacionit qe do te marre pjese ne Kampionatin Boteror per Te Rritur (i cili është kualifikues per “Londer 2012”) ne Paris (Francë), nga data 3, deri më 13 nentor 2011, ka marre ne konsiderate garen e fundit kombetare, ate te “Kupes se Shqiperise” per Te Rritur, të zhvilluar me datën 28 shtator 2011 ne Tirane”, - ka sqaruar ai. “Në këtë takim, Komiteti Drejtues i FSHP-së ka vendour te caktoje perberjen e ekipeve kombetare meshkuj dhe femra, dhe për femra janë Shqiponja Guhacaj (Braha) në peshën 48 kg, Sherjana Ruci, në peshën 53 kg, dhe Fetije Kasaj dhe Romela Begaj, në peshën 58 kg, - ka vijuar Kraja. - Ndërsa për meshkuj janë Briken Calja dhe Daniel Godelli, në peshën 69 kg, Erkand Qerimaj dhe Hysen Pulaku, në peshën 77 kg, Ilir Suli, në peshën 85 kg, si dhe Endri Karina, në peshën 94 kg.” “Përsa u përket trajnerëve, është Genc Barkiçi, trajner i Kombëtares prej 1 viti e gjysmë, i cili ne çdo gare ka sjelle medalje (kujtojmë ketu kampionin e botes per te rinj, Daniel Godelli), - ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i shtangës shqiptare. - Fituese e Kupes se Shqiperise per femra u shpall Tirana dhe sportistja me e mire, Romela Begaj dhe, (me kerkese te kesaj te fundit), Komiteti Drejtues vendosi trajner për femra Gazmend Hakcanin.” “Ndërkaq, - ka sqaruar Kraja, - fitues i Kupes se Shqiperise per meshkuj u shpall Elbasani, sportisti me i mire Hysen Pulaku, po i Elbasanit, i cili theu rekordet kombetare te vena nga Erkand Qerimaj dhe Ilirjan Suli, dhe, për këtë arsye, u vendos në grupin e trajnerëve edhe Sami Pulaku nga Elbasani. Ndonëse Erkand Qerimaj nuk mori pjese ne Kupen e Shqiperise, Komiteti Drejtues vendosi ta përfshijë edhe atë si pjesë të delegacionit.” Më tej, Kraja ka sqaruar se grumbullimi njëmujor që po bën ky grup sportistësh, është ne kushte optimale (hoteli, ushqimi, stervitja) në mjediset e Kompleksit Olimpik Kombëtar, i mundësuar nga kujdesi i drejtores së Agjencisë së Shërbimit te Sportit, Klodiana Shala dhe nga Bashkepunimin e FSHP-së me KOKSH-in. “Është për të ardhur keq që edhe ne rastet kur bëhet një grumbullim i ekipit kombëtar në një periudhë kaq të gjatë dhe në kushte kaq optimale, që sporte të tjera do të dëshironin për ekipet e tyre, ka ende njerëz mosmirënjohës që hedhin baltë mbi punën tonë”, - ka përfunduar Kraja. Ndërkohë, Drejtorja e Agjencisë së Shërbimit te Sportit, Klodiana Shala, ka deklaruar se Kompleksi Olimpik Kombëtar që ajo administron, “është i hapur për të gjitha llojet e mediave, që të vijnë e të verifikojnë në terren gjendjen e vërtetë dhe të mos mbështeten te gënjeshtrat që individë të caktuar kërkojnë thjesht ta bëjnë të bardhën të zezë për interesat e tyre meskine”. “Unë kam qenë vetë sportiste dhe mund t’ju them që këtë lloj grumbullimi as nuk e kemi ëndërruar”, - ka sqaruar ajo. “Përsa i përket cilësisë së ushqimit, është për të ardhur keq që bëhen aludime të tilla, kur dihet që menyja është përgatitur në konsultim me trajnerët dhe dietologët dhe sigurohet nga shërbimet më cilësore në Tiranë, - ka theksuar Klodiana Shala. - Të njëjtin avaz unë e kam dëgjuar edhe vjet, në prag të Botërorit të shkuar të Peshëngritjes, por, për fatin e tyre të keq, “strumbullarët” e kësaj “meseleje” tanimë kanë mbetur vetëm dhe njerëzit po e kuptojnë sesi qëndron e vërteta.” Ndërsa Genc Barkiçi, trajneri i ekipit kombëtar të peshëngritjes shqiptare, konfirmon se gjendja e sportistëve është shumë e mirë. Kombëtarja e shtangës, me të gjitha kushtet që ka krijuar Agjensia e Shërbimit të Sporteve, me në krye drejtoreshën Klodiana Shala, është duke kryer një grumbullim për t’u patur zili. Stërvitje me orar në palestër, regjim i fortë sportiv dhe akomodim në dhomat e hotelit, që nuk lejon daljen pas orës 23:00, por dhe ngrënia në restorant me orar (në mëngjes 08:00-09:00, në drekë 13:00-14:00, në darkë 20:00-21:00). Dhe jo vetëm kaq, por dhe qendra mjekësore e gatshme për gjithçka. “Kushtet janë ideale si asnjëherë tjetër për stërvitje dhe akomodim, - ka deklaruar ai. - Gjendja e sportistëve e mirë dhe përgatitjet vazhdojnë. Ajo që më ngroh është fakti se në stërvitje, sportistët e grumbulluar po kapin rezultatet e tyre maksimale dhe unë kam besim se edhe në Botërorin e Parisit pas një jave, ne do të bëjmë detyrën, domethënë do të synojmë podiumin në të gjitha peshat ku do të marrim pjesë.” a.k/NOA

KOMENTE