Nga Artur Zheji Përmes një mesazhi nga i kujdesshmi dhe miqësori koleg, Dritan Tola, u njoftova se isha i ftuar, si gazetar, në një darkë të posaçme me drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin e Bashkimit Europian. Ndonëse nuk jam i lavdërueshëm në përmbushjen e qokave, karizma elegante e ambasadorit të BE-së, zotit Sequi, që sigurisht qëndronte mbas kësaj ftese, ishte e pakundërshtueshme. Saninon, ishte hera e dytë që do e takoja në një format të tillë konsultativ me kolegë gazetarë. Elegant dhe simpatik edhe ai, një napolitan i rafinuar, me një anglishte të rrokëzuar kuptueshëm, e pra, një darkë që nuk parashikohej të çohej dëm, një kuriozitet dhe fundja një kontribut i vockël për Vëllazërinë e madhe Europiane, që ka kaq, po kaq kokëçarje të shëndetshme për ne. Por kisha një frikë, e cila m’u vërtetua, ngutja dhe zelli i ca kolegëve, për të tundur dhe shkundur flamurin e të vërtetës, e të vërtetës së tyre të vetme, mbi tmerrin politik dhe social të jetës shqiptare. Ky pasion do të zymtësonte dialogun dhe do të na vendoste në një optikë të pakëndshme. Dhe ashtu pothuajse ndodhi. Ne dhe ata, ju dhe ne, qeveri kriminale, klasë politike e denjë për burg, tunel pa rrugëdalje, depresion dhe shëmtim global i çdo gjëje që ndodh në Shqipëri. Përmbledhtazi këto ishin tezat e disa kolegëve, që padyshim kanë legjitimitetin t’i shprehin lirshëm dhe demokratikisht sa më s’ka. Mirëpo në këtë kontekst, dukej sikur Sanino kish ardhur si një engjëll nga bota e mirë dhe e përsosur oksidentale, me fuqi magjike dhe vullnet çudibërës, kish zbritur pra në ferrin shqiptar, i bardhi dhe i praruari Drejtor i Përgjithshëm, me shpatën e pathyeshme të Shën Gjergjit në dorë, gati për të vrarë Bishën, që ka zënë puset e ujit dhe Dritën e diellit në trevat tona. Eleganti Sequi dukej, apo më saktë më dukej, se mezi e kapërdinte këtë klimë kaq zymtake dhe të vrerosur, ndërsa Sannino me të drejtë i sikletosur, gati sa nuk na u përbetua që për besë ai, që ai pra, nuk ishte Shën Gjergji dhe se nuk kishte ndërmend të përdorte si dhe iu sugjerua nga disa prej nesh, pezullimin e liberalizimit të vizave, si mjet presioni ndaj politikës shqiptare që nuk ka prirje të dialogojë sipas standardeve perfekte europianiste. Sa i mirë për besë Drejtori Sannino, sa bukur e shmangu tundimin për kalin, parzmoren e artë dhe shpatën e pathyeshme të Shën Gjergjit. Retrospektivë 1. Rama do pushtetin kulmor. Të gjithë pushtetin e mundshëm. Pse e do të gjithë këtë pushtet ai e di, Edi e di. Për këtë arsye, ne të gjithë e dimë tanimë qartë, pavarësisht nëse jemi pro apo kundra, apo pothuajse kundra kësaj nevoje për të shtrënguar e lëmuar skeptrin e pushtetit, se Edi, çdo veprim politik përpiqet ta kalkulojë në funksion të hapjes së Rrugës së mbyllur nga Doktori, edhe ay, i magjepsur mbas këtij rikthimi triumfator në pushtet, mbas kaq vitesh opozitë rraskapitëse. E pra, çdo veprim politik dhe çdo akt taktik, që simbas këshilltarëve të Ramës, afron dhe realizon hapjen e Rrugës, e pra dëmton, dobëson apo aq më mirë, rrëzon Doktorin, është e justifikuar simbas proverbit të mirënjohur që qëllimi justifikon mjetin e përdorur. Kjo padyshim është njëra anë e ekuacionit të krizës së ashtuquajtur politike shqiptare. Sipas mendimit tim, sado i durueshëm dhe këmbëngulës të jetë Sannino, kjo logjikë politike drejt pushtetit nuk ndryshon dot, bile as edhe mund t’ia kërkojmë Ramës ta ndryshojë. Sepse Pushteti është aty, kaq afër dhe kaq larg, si një perri me bukuri të parezistueshme dhe e burgosur. ‘Çelësat e burgut’ i ka në xhep, ay, Doktori.
Ç’të bëjë Rama?
Ç’të bëjë Sannino? Ç’të bëjmë ne vdekatarët e thjeshtë të kasabasë? Retrospektivë 2.
Berisha ka fituar zgjedhjet për herë të dytë në vitin 2009. Në mënyrë të sikletshme për mjaft nga ambiciet politike të jo pak mesoburrave, në krah të tij apo krejt kundër tij, ky mandat i dytë i fituar dhe në ushtrim e sipër, si dhe ambicia e Berishës për një mandat të tretë, rrezikojnë mbylljen e palavdishme të shumë karrierave ambicioze, të mesoburrave në mes të pushtetit, por pa pushtetin maksimal të ëndërruar. Kjo është një kontradiktë brezash, të cilën Doktori me sa duket e njeh mjaft mirë, por nuk po e menaxhon po aq mirë sa e njeh. Natyra e tij e prerë dhe trungu i palakueshëm kollaj i personalitetit të tij, shëndeti me sa duket i mrekullueshëm, nuk jep shpresa se ai çon nëpër mend lëshimin e vullnetshëm apo aq më keq, copëtimin e pushtetit të drejtuar prej tij. Berisha priret ta hutojë dhe ta dobësojë kundërshtarin. Me Ramën, për të është më e lehtë, sepse ay, Rama, nuk do ta ndajë pushtetin me askënd duke e përçarë vetë ay, më mirë se sa do të ëndërronte Doktori, të majtën dhe Opozitën. Por nga ana tjetër, duhet thënë se Kryetari i PD-së, kristalizimin e opozitës së ardhshme të Bamir Topit e sheh ende me optikën e Kryeministrit dhe jo sipas një ekspertize dhe analize elektorale. Me sa di unë, askush në PD nuk e ka vënë ende ujin në zjarr për këtë X factor.
Berisha pra bën lëvizje pamjaftueshmërisht të mëdha dhe të domosdoshme, jashtë terrenit të pushtetit administrativ dhe ekzekutiv. Pra, në fushën e reformimit të brendshëm shfaqet akoma i ngurtë. Në fushën e komunikimit me Opozitën, hapat janë të vogla, tryezat spektakolare të takimeve bilaterale ende mungojnë dhe nuk kuptohet se përse. Ç’të bëjë Sannino? Darka ishte e mirë. Hahet dhe bisedohet demokratikisht mirë tek saleti i Piazzës, falë mikpritjes së Bashkimit Europian dhe ambasadorit Sequi. Tetor 2011