English

Pse Rama shkruan editoriale

Nga Mentor Nazarko Të merresh me editorialet e Edi Ramës nuk është një ushtrim i padobishëm. Të merresh me to do të thotë të merresh me mënyrën si opozita komunikon me zgjedhësit dhe sa efektiv është ky komunikim. Për këtë shkak ia vlen të rrekesh mbi arsyet e shkrimit të tyre dhe përgjigjen e pyetjes: a është mirë që kryetari i opozitës, Edi Rama, të shkruajë editoriale?

Pse Rama shkruan editoriale?

Jo thjesht për ta përgënjeshtruar Edi Ramën, por artikujt e tij nuk janë editoriale. Ato janë qëndrime të Edi Ramës, gjegjësisht Partisë Socialiste, ndërkohë që si rregull editorialet janë qëndrime të një gazete apo gazetari me përvojë në lidhje me një çështje të caktuar. Si qëndrime, “editorialet e Edi Ramës” mund të përcillen dhe në një konferencë shtypi, në përfundim të së cilës u shpërndahen mediave. Ndërkohë, qëndrimet e Ramës apo të Partisë Socialiste nuk mund të shndërrohen në qëndrime të masës së gjerë të publikut sikur editorialet e vërteta, sepse optika apo qasja mbi të cilën ndërtohen është e kufizuar. Është qasje partiake, sepse karakterizon qëndrimet e një partie për tema të ndryshme që dikur emetoheshin nëpër konferenca shtypi. Ligjërimi i Ramës në ato konferenca dje është thuajse i njëjtë me editorialet sot. Ai i lexonte dhe pastaj i shpërndante, diçka që Rama e ka bërë rregullisht derisa të mbërrinim te “fillimi i ri”, që nënkupton dhe komunikimin me editoriale. Atëherë le të mundohemi të supozojmë pse Rama ndryshoi. Ndoshta pse editorialet i ngjajnë Ramës më efektivë, sesa ato konferencat e mërzitshme ku ai lexonte me ton patetik “editoriale” të pashpallur si të tillë. Me një shikim krejt pragmatik, ai duket se ka zgjedhur këtë lloj komunikimi, pse në këtë formë siguron bashin e vendit në gazeta për idetë e veta, pra vendin që ka një editorial – në faqet e para, me titull kryesor në faqen e parë etj., etj., të shumë prej gazetave, madje dhe të gazetave që mund të jenë kundër tij. Nëpërmjet editorialeve, ai, në një farë mënyre, sfidon edhe ata që konsiderohen editorialistë prej gazetave, sepse u zë bashin e vendit, duke larë hesapet me ta, pas kritikave të shumta që ai u ka bërë se merreshin me opozitën në vend që të merreshin me pushtetin. Ndërkohë, nëpërmjet kësaj forme, Rama ia mbërrin të ketë të njëjtin efekt si kur bënte konferencë shtypi, madje dhe më të madh, përfshi dhe ndikimin te televizionet, të cilat e shndërruan rregull komentimin e këtyre lloj editorialesh. A thua të ketë menduar kështu Rama? Apo sot, me fillimin e ri, ai përton të komunikojë me publikun nëpërmjet gazetarëve dhe preferon t’u shpërndajë mediave një material të shkruar që e quan editorial? Edhe kjo mund të jetë e gjasishme, posaqë kontaktet e Ramës në formën e konferencave të shtypit janë rralluar, thuajse në hiç, me të ashtuquajturin fillim të ri, pas zgjedhjeve. Pra, Rama mund ta ketë zgjedhur këtë formë komunikimi për t’iu larguar bezdisë së pyetjeve shpeshherë banale të reporterëve politikë- gjetkë me Kryeministrin dhe kreun e opozitës shkojnë gazetarët më të mirë, apo redaktorët. Edhe forma tjetër moderne e komunikimit të tij me rrjete sociale e shmang bezdinë nga gazetarët -, atë nuk mund ta bezdisë fizikisht askush, pa folur që kuvenduesit e ideve të tij, përgjithësisht filtrohen për të hequr komentuesit agresivë. Por, nëse komunikimi i tij nëpërmjet rrjeteve sociale justifikohet për të afruar rininë, po me editorialet çfarë synohet? Diskutimi i mësipërm synonte shqyrtimin ngushtësisht të editorialeve si mjete komunikimi, pa u marrë me efektivitetin e komunikimit, apo dhe me përmbajtjen e tyre. Nuk ka diskutim se shpesh, tema e zgjedhur prej tij është një temë thelbësore në debatin publik në vend. Tema e plehrave për shembull, të cilit i kushtohej editoriali i fundit, është pa diskutim një temë thelbësore, ashtu siç është dhe regjistrimi për të cilën PS ka heshtur. Pse? Sepse mjerisht optika e tij prej lideri të një partie është e kufizuar. Ai s’mund të thotë për shembull se dhe Partia Socialiste e paraardhësit të tij Nano, nën ndikimin e grupeve të dyshimta të interesit, u bë gati të miratonte një ligj të tillë. Ai s‘mund të shpjegojë as pse partia e vet iu largua debatit në sallën e Parlamentit kur u diskutua për këtë ligj, pse PS nuk mban qëndrime të forta kombëtare etj., etj.

A është mirë që Rama të shkruajë editoriale?

Duke folur për optikën apo qasjen, e cila kufizon gjenetikisht cilësinë e një “editoriali”, ne mbërritëm te cilësia e tij. Editoriali është thjesht një mënyrë komunikimi, dhe jo vetë komunikimi, mesazhi që përmban brenda. Nëse Rama, ashtu si dhe në format e tjera të komunikimit, me gojë, me shkrim, nuk ka mesazhin e duhur, atëherë cilësia e komunikimit është e dobët. Mjeti i komunikimit ngjan jo efektiv. Cilësia e komunikimit të opozitës është thelbi i kësaj analize dhe editorialet janë thjesht pretekst. Shumë vëzhgues neutralë bien dakord që opozita ka deficite të mëdha komunikimi me publikun. Kjo ngjan si paradoks, megjithëse në krah të opozitës, ose të paktën në pozicione kritike ndaj qeverisë, qëndrojnë media të fuqishme që e sofistikojnë mesazhin. Pikërisht këtu është problemi: mediat kritike të vendit kanë një mesazh më të sofistikuar se ç’duhet për një popullsi me nivel relativisht të ulët arsimor. Dhe komunikatorët kryesorë të opozitës, përfshi Ramën, ngjajnë si shumë të sofistikuar përballë Berishës që është, pa dyshim, komunikatori më i madh i skenës publike shqiptare. Barcaletat apo metaforat e tij shpeshherë pa kripë, si për shembull uji i bekuar i Sari Salltëkut, ngjajnë shumë më efektive për imagjinatën popullore sesa editorialet apo britma të tjera zulmëmëdha të komunikatorëve të opozitës. Me dështimin në komunikim shpjegohet dhe fakti se kjo opozitë nuk ka arritur të krijojë frymë ndryshimi në popull, me gjithë ngjarje të mëdha si Gërdeci, manipulimet e zgjedhjeve, 21 janari, apo skandale të tjera ministrore dhe kryeministrore. Për më shumë, me këto deficite komunikimi shpjegohet dhe humbja e PS-së në fshat. Kjo humbje zyrtare, me gjithë shkallën e lartë të manipulimit, përcakton humbjen e përgjithshme, ndaj Ramës i djeg shumë, siç u duk dhe në editorialin e fundit, ku ai premtonte se PS-ja do të fitojë në fshat. Dhe mbërritëm këtu te defekti kryesor i kësaj forme të komunikimit. Nëse PS-ja humb zgjedhjet në fshat, atëherë ajo duhet të përqendrohet në një komunikim intensiv me fshatin. Dhe nëse PS-ja, nëpërmjet Ramës, zgjedh të komunikojë me zgjedhësit fshatarë nëpërmjet editorialeve, atëherë këtu kemi të bëjmë me një paradoks të madh komunikimi. Diçka krejt për fund. Politikanë me një të kaluar publicistike apo letrare si Rama apo Berisha, jo rrallë tentojnë t’u mësojnë gazetarëve në intervista, apo me forma të tjera, si ta bëjnë punën e tyre. Ndoshta në këtë formë komunikimi të re të Ramës ka një lloj përpjekjeje indirekte për t’u mësuar “zanatçinjve editorialistë” mënyrën si shkruhen editorialet. Në ndihmë të tij vjen, me siguri, një periudhë e ndritshme e shkrimeve të tij të viteve ‘93-‘97 apo dhe pak më vonë. Por, mjerisht, duhet thënë se ato shkrime, të përkryera nga stili, të paarritshme për nga guximi, shpeshherë me fantazi letrari të pambërritur, ishin thjesht dhe vetëm me karakter denoncues. Askush nuk guxonte të denonconte Berishën, me një fantazi të tillë, me një stil të shkëlqyer si Rama. Ama, në ato shkrime si dhe në ato të sotmet, Rama tregon mungesa në përmasën propozuese, në vizionin shtetndërtues, alternativ me atë zyrtarin. Ndërkohë, editoriali, si formë e shkruar komunikimi, ekzalton mungesat në këto elemente thelbësore për dikë që do të bëhet statist! Ndryshe forma e folur, ndryshe forma e shkruar, për më shumë kur je lider i një partie, kandidat për kryeministër. Te shkrimet e atëhershme, ashtu si dhe sot, mungonin dhe mungojnë termat e gjuhës së ligjit, të ekonomisë, dhe këto nuk ngjajnë normale për një lider opozite. Nëse Rama do të ishte editorialist në profesion të lirë, me siguri do t’i mundte të gjithë në stil, në imagjinatë, në guxim etj. Por roli i liderit të opozitës, veshur me kostumin e editorialistit, jo vetëm që ia kufizon vlerat publicistike në gjuhën shqipe, por dhe ia ekzagjeron mungesat e tjera, në “gjuhë” të tjera. Ndaj, zoti Rama duhet të zgjedhë forma më të thjeshta komunikimi, duhet të favorizojë kontaktin e drejtpërdrejtë me njerëzit etj., etj. Ok editorialet, por duhen dhe forma të tjera për të arritur te zgjedhësi i thjeshtë. Sot Rama ka më shumë kohë për ta bërë, ndërsa ne s’kemi kohë për të pritur mbërritjen e ndryshimit që s’po vjen akoma.

KOMENTE