Tiranë, 25 tetor 2011, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir u takua sot me, Kryetarin e Komunës së Bujanovcit, Jonuz Musliu dhe Kryetarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa. Kreu i Shtetit vuri në dukje se është në interesin e të gjithë qytetarëve të Komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës që të mundësohet një ambient i shëndoshë sigurie, duke i bërë thirrje, me këtë rast, të gjithë faktorit politik shqiptar atje, që të ruajë qetësinë dhe unitetin, duke shmangur acarimet dhe përplasjet politike. “Është shumë e rëndësishme, që për përmbushjen e kërkesave tuaja të drejta dhe legjitime ndaj shtetit serb, shqiptarët shprehen më një zë dhe të mbajnë një qëndrim” – vuri në pah Presidenti Topi. “Është e rëndësishme të punojmë së bashku për t’i afruar qytetarët e vendeve tona, pasi njohja ndërmjet tyre, besoj se do të ndikonte në përballjen dhe, më pas, në kapërcimin e mendësisë së vjetër, të mbushur me konflikte etnike e tashmë, të vjetëruar, ballkanike. Ky hap është i nevojshëm për të përparuar drejt së ardhmes, për qytetarët e vendeve tona. Ndaj besoj se zhvillimi i marrëdhënieve pa paragjykime midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Serbinë, do të përbënte një kontribut për sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, - theksoi më tej në takim Kreu i Shtetit shqiptar. Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Jonuz Musliu dhe Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, pasi falenderuan fillimisht për mikpritjen e ngrohtë e miqësore, vlerësuan rolin e Presidentit Topi dhe përpjekjet e vazhdueshme për rritjen e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, shprehën mirënjohjen e thellë për këtë takim të rëndësishëm, si dhe për kontributin e tij personal e institucional në të gjithë këtë proces, duke e ftuar njëkohësisht edhe për një vizitë në trojet e tyre, ftesë, e cila u pranua me kënaqësi nga Kreu i Shtetit shqiptar. a.q/NOA